Kosova ka bërë hapin e saj të madh në integrimet evropiane
Ankara, 25 prill - Ministrja për Dialog e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, mori pjesë në konferencën e Forumit Ndërkombëtar të Ballkanit e cila po mbahet tash e tetë vite me radhë, e organizuar nga Instituti për studime strategjike TASAM, më 21-23 prill 2016.
Ministrja Tahiri ishte folëse kryesore në hapjen e këtij takimi ndërkombëtar ku pjesëmarrës ishin liderë të vendeve të ndryshme të Ballkanit si Shqipëria, Kroacia, Maqedonia, Bosnja, etj.
Ligjërata e ministres Tahiri ishte me titull Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian: Sfidat kryesore përpara.
Ministrja Edita Tahiri fillimisht falënderoi presidentin e TASAM, Sulejman Sensoy për ftesën që të marrë pjesë në këtë konferencë të rëndësishme për të dytën herë me radhë.
Ministrja Edita Tahiri në fjalën e saj të hapjes së Konferencës, ndër tjera theksoi:
Vendet e Ballkanit kanë mbyllur kapitullin e luftërave dhe kanë hapur kapitullin e paqes dhe integrimeve euroatlantike, shtatëmbëdhjetë vite më parë, dhe progresi në këtë drejtim është i dukshëm.
Mendoj se ardhmëria euroatlantike e vendeve të Ballkanit perëndimor është një çelës për krijimin e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në rajon, e cila ka hapur perspektivat për shtete të qëndrueshme demokratike dhe ekonomikisht të zhvilluara.
Republika e Kosovës ka bërë hapin e saj të madh në integrimet evropiane përmes nënshkrimit të Marrëveshjes Stabilizim Asociim me Bashkimin e Evropian e cila hyri në fuqi në fillim të prillit të këtij viti. Kosova si shtet i ri shënoi sukses të madh në rrugën e reformave evropiane dhe në politikat e saj të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunime rajonale. Tani ne presim që pa vonesa tjera të merret vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës nga BE-ja. Kosova dëshmoi se është shtet serioz duke e fituar luftën për liri dhe pavarësi ndaj Serbisë si dhe duke ushtruar sovranitet në marrëdhëniet ndërkombëtare të kalimit nga lufta në paqe. Ne po dëshmojmë se me dialog mund të transformohen marrëdhëniet armiqësore në marrëdhënie ndër fqinjësore paqësore, që presim të rrumbullakohen me njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, duke qenë palë serioze në Dialogun e Brukselit me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kosova sot është e njohur nga pjesa më e fuqishme e botës dhe anëtare e shumë organizatave botërore. Prioritetet tona si Qeveri e Kosovës janë zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të punës dhe për të arritur këto objektiva ne jemi fokusuar në forcimin e sundimit të ligjit, politikave strategjike për joshjen e investitorëve dhe kapitalit njerëzor që është një potencial shumë i çmueshëm duke qenë se Kosova ka popullatë të re dhe potenciale mjaft të mëdha ekonomike.
Në fakt, në gjithë vendet e Ballkanit që kanë lindur nga zhbërja e ish-Jugosllavisë, shtatë shtetet e reja, përfshirë Kosovën, ka pasur progres në integrimet evropiane. Sllovenia dhe Kroacia janë bërë anëtarë të BE-së dhe me përvojën e tyre po ndihmojnë vendet aspirantë. Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia po ashtu kanë shënuar progres në rrugën drejtë BE-së me dinamika të ndryshme. Mirëpo, ajo që shënon një sfidë të madhe për gjithë vendet tona është forcimi i sundimit të ligjit sepse aktualisht brishtësia e sundimit të ligjit, korrupsioni dhe krimi i organizuar janë bërë pengesa kryesore të zhvillimit ekonomik dhe të shtetndërtimit të suksesshëm.
Një tjetër sfidë e madhe janë marrëdhëniet ndër fqinjësore mes shteteve duke qenë se ende ka çështje të hapura, siç janë normalizimi i marrëdhënieve dhe njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, zgjidhja e kontestit të emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë dhe problemet e hapura fqinjësore mes Bosnjës dhe Serbisë. Po ashtu, kujdesi dhe garancia kushtetuese e të drejtave të komuniteteve duhet të rritet sidomos për shqiptarët në Maqedoni në zbatim të marrëveshjes së Ohrit dhe shqiptarët si dhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës.
Në kontekst të sfidave, dëshiroj të theksoj se tashmë rajoni përballet edhe me sfidën e refugjatëve nga Siria si dhe sfidën e terrorizmit ekstrem si dhe mbarë Evropa, dhe përderisa Kosova dhe gjithë vendet po bashkëpunojnë ngushtë me BE për një përgjigje të përbashkët, megjithatë mendoj se Ballkani Perëndimor nuk ka kapacitete të mjaftueshme për tu përballur dhe menaxhuar këto sfida. Prandaj, përshpejtimi i integrimit të integrimit evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor është faktor përcaktues për ruajtjen dhe avancimin e paqes dhe stabilitetit.
Mendoj se janë dy parime kryesore që duhet të respektohen në procesin e integrimit evropian dhe ato janë: implementimi dhe konsekuenca nga të dyja palët nga BE dhe nga vendet aspirante.
Derisa BE duhet të implementojë me konsekuencë vendimin e Agjendës së Selanikut të vitit 2013 për zgjerim në Ballkanin perëndimor, në anën tjetër vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të implementojnë me konsekuencë reformat evropiane sepse fundja ato i shërbejnë dy qëllimeve, edhe për shtetndërtim funksional edhe për integrimin evropian.
Në fund të fjalës së saj ministrja Tahiri vlerësoi lartë bashkëpunimin mes Turqisë dhe BE-së në menaxhimin e çështjes së refugjatëve dhe shprehu përkrahjen për avancimin e marrëdhënieve mes tyre në të mirë të arritjes së paqes dhe sigurisë në rajonin e Lindjes së Mesme.
Në mesin e pjesëmarrësve ishin: Mustafa Elitas, ministër i Ekonomisë në Qeverinë e Turqisë, Mucahit Yanilmaz, kryetar i Bashkisë Elazig, Ayhan Zeytinoglu, president i Zhvillimit Ekonomik fondacionit të shoqërisë civile, Makedonka Dimitrova, profesoreshë në Universitetin Amerikan në Shkup, Besim Beqaj dhe Agim Çeku, deputet në Parlamentin e Kosovës, ambasadori i Republikës së Kosovës në Turqi, Avni Spahiu, Petrit Gashi, kryetar i Bordit të AKP, Habil Mustafa, Drejtor i Agjencisë për investime të huaja në Republikën e Maqedonisë, Senada Selo Sabic, Instituti për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Zhvillimit Ekonomik në Kroaci, Mustafa Uç, prof. në Universitetin Epoka në Shqipëri, Prof. Adrian Pop, Universiteti Kombëtar i Shkencave Politike dhe Administratës Publike në Rumani, prof. Milosh Solaja, Universiteti Banja Luka, nga Bosnja dhe Hercegovina, Rifat Sait, ish deputet në Parlamentin turk nga partia PR.
Ministrja Tahiri së bashku me Ambasadorin Avni Spahiu dhe konsullin e përgjithshëm, Rrahim Morina, po ashtu zhvilloi disa takime në Stamboll ku takoi kryetarin e Shoqatës së Shqiptarëve në Stamboll, Halil Metin, pastaj mbajti një fjalim me studentët e Unionin Studentor Shqiptar nga mbarë trevat shqiptare. Në këto takime ajo foli për progresin e shtetit të Kosovës dhe ardhmërinë euroatlantike si dhe për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Turqisë.
Ministrja Tahiri takoi edhe Kryetarin e Shoqatës botërore për persona me aftësi të kufizuara z. Metin Senturk me origjinë shqiptare që është një solist i mirënjohur në Turqi. Ministrja Tahiri u shoqërua nga zyrtarët e kabinetit, këshilltarja politike Ramize Sejdiu dhe shefi i protokollit Imer Reçica.