Kosova ftohet në samitin e Ohrit
Shkup, 18 maj - Kosova pritet të marrë pjesë në samitin e shefave të shteteve dhe qeverive nga vendet e përfshira në Procesin e bashkëpunimit të Evropës Juglindore (PBEJL), i cili do të mbahet në Ohër.
Edhe pse pala serbe ka insistuar që Kosova të mos jetë prezente në Samitin e Ohrit, ministrit kosovar të Punëve të jashtme, Enver Hoxhaj i është dërguar ftesa për pjesëmarrje të Qeverisë kosovare në këtë samit.
Republika e Maqedonisë e ka njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran dhe, duke respektuar zhvillimin dhe përforcimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve, e sheh të arsyeshme që Kosova si shtet fqinj të jetë pjesëmarrëse e këtij Samiti ku do të marrin pjesë përfaqësues qeveritar nga të gjitha vendet e rajonit.
Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov do të jetë nikoqir i Samitit të 16-të të shefave të shteteve dhe qeverive të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (PBEJ) , që do të mbahet më 1 qershor në Ohër.
Ndërsa është konfirmuar prania e presidentit serb, Tomislav Nikoliq dhe kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, diplomatit serb, Vuk Jeremiq.
Në këtë samit në qendër të vëmendjes do të jenë temat për bashkëpunim rajonal dhe dialog për partneritet dhe fqinjësi të mirë në Evropën Juglindore, por edhe temat mbi zvogëlimin e rreziqeve nga katastrofat si dhe adaptimi ndaj ndryshimeve klimatike.
Nga kabineti i presidentit Ivanov, deri tani pjesëmarrjen e kanë konfirmuar presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, presidenti i Bullgarisë Rosen Plevneliev, presidenti kroat Ivo Josipoviq, Presidenti rumun Trajan Basesku, presidenti serb Tomislav Nikoliq, presidenti slloven Borut Pahor, presidenti i këshillit të Bosnjë- Hercegovinë Nebojsha Radmanoviq si dhe ministri i jashtëm turq, Ahmet Davutoglu.
Në kuadër të këtij samiti janë ftuar edhe përfaqësues të tjerë të lartë të OKB-së, Bashkimit Evropian, etj.