Kosova është mirënjohëse për përkrahjen Kanadasë
Otavë, 22 nëntor - Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, është pritur sot nga Kryesuesi i Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Kanadasë, z. Geoff Regan, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin në mes të Kosovës dhe Kanadasë dhe thellimin e këtij bashkëpunimi, veçanërisht në fushën parlamentare.
Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova është mirënjohëse për përkrahjen që Kanadaja i ka dhënë Kosovës.
“Ishte prekëse të vizitoja kampin ushtarak në Halifax ku kanë arritur shumë refugjatë kosovarë në vitin 1999. Por ishte kënaqësi të shohësh se ata fëmijë që kishin arritur si refugjatë tani janë profesionistë, artisë, sportistë, të integruar në shoqërinë kanadeze”, u shpreh Presidenti Thaçi.
“E çmojmë edhe përkrahjen e Kanadasë për rindërtimin e vendit pas lufte dhe përkrahjen tani për konsolidimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, shtoi Presidenti Thaçi.
Kryesuesi Regan e lavdëroi Kosovën për ndërtimin e një shteti të suksesshëm, ku mbizotërojnë të drejtat e njeriut dhe diversiteti, vlerë e përbashkët e Kanadasë dhe Kosovës.
“Para 20 vitesh ju kemi pritur si refugjatë ndërsa tash ju presim i partner”, u shpreh Kryesuesi Regan.
Presidenti u shpreh se Kosova dhe Kanadaja duhet të thellojnë bashkëpunimin, në nivel të parlamenteve, por edhe në rrafshet e tjera, si ekonomia dhe siguria.