Kosova e Serbia sot bisedojnë për çështjet e zgjedhjeve dhe doganave
Bruksel, 1 tetor - Me udhëheqjen e zëvendëskryeministres së Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, nga sot deri me 4 tetor në Bruksel do të mbahen takimet e grupeve punuese në kuadër të dialogut për zbatimin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me lehtësimin e Bashkimit Evropian.
Temat që priten të diskutohen gjatë këtij raundi janë: çështja e zgjedhjeve lokale, liria e lëvizjes, doganat, si dhe çështja e zyrave ndërlidhëse.
Në delegacionin e Kosovës të udhëhequr nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, e shoqëruar nga Arjeta Rexhaj, janë edhe grupet punues në përbërje:
Për çështjen e zgjedhjeve: Qemajl Marmullakaj, koordinator i grupit punues, Abedin Mehmeti, UD i Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë së Regjistrimit Civil të Kosovës, Enver Peci, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Visar Xani, Këshilltar politik dhe media i zëvendëskryeministres, Albert Avdiu Sekretariati i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Për Doganat: Bajram Rexha kryesues i grupit punues, Gazmir Raci koordinator i grupit, Fisnik Rexhepi, këshilltar i Ministrit të Punëve të Brendshme , Bashkim Thaçi, Këshilltar Politik i Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ahmet Zejnullahu, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë Kosovare të Pyjeve.
Dhe Zyrat ndërlidhëse: Sami Ukelli, Drejtor i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, dhe ambasador Valdet Sadiku.