09 Janar 2025

Kosova e Serbia janë pajtuar ta çojnë përpara Dialogun

Bruksel, 25 janar - Në Bruksel ka përfunduar pa ndonjë vendim konkret takimi i udhëheqësve më të lartë të Kosovës dhe Serbisë, i thirrur me ftesë të shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka lëshuar një komunikatë për media në lidhje me takimin e nivelit më të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel, të cilin e thirri dhe ndërmjetësoi ajo.

“Sot, presidentët Tomisllav Nikoliç e Hashim Thaçi dhe kryeministrat Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç, m’u bashkuan për një takim të nivelit të lartë të Dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit e Prishtinës.

Dua t’i falënderoj ata për takimin e hapur dhe shumë konstruktiv që kemi pasur. Ata kanë diskutuar për zhvillimet gjatë ditëve të fundit dhe janë pajtuar t’i lënë prapa tensionet dhe të përqendrohen në punët që kanë përpara.

Unë kam theksuar se progresi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë është i rëndësisë maksimale: për Kosovën e Serbinë, për vetë Bashkimin Evropian dhe për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Përparimi në dialog është kyç për të dyja palët për të ecur përpara në rrugët e tyre përkatëse drejt Bashkimit Evropian.

Jam e inkurajuar nga udhëheqja, vizioni, përkushtimi dhe angazhimi i treguar nga udhëheqësit politikë sot, për të adresuar dhe për të zgjidhur çështjet nëpërmjet Dialogut.

Të dy palët janë pajtuar ta çojnë përpara Dialogun në frymën e respektit, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit reciprok. Diskutimet ndërmjet palëve do të intensifikohen gjatë ditëve të ardhshme. Ne kemi vendosur të kemi disa takime të nivelit të lartë të Dialogut, duke filluar nga ditët e ardhshme.

Dua t’i falënderoj edhe një herë Presidentët dhe Kryeministrat për gatishmërinë dhe përkushtimin e tyre të fuqishëm për Dialogun. Ne tani do të punojmë në mënyrë konstruktive dhe konkretisht për çështjet për të cilat jemi marrë vesh më parë, për të mirën e të gjithë njerëzve në Serbi dhe në Kosovë, për avancimin e tyre në rrugën e integrimeve evropiane.

Unë si lehtësuese e Dialogut edhe më tutje do të vazhdoj të jem e përfshirë personalisht në mbështetjen të zbatimit të plotë të marrëveshjes së sotme, të marrëveshjeve të arritura deri më tani dhe për progresin e mëtejmë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy palëve”, thuhet në deklaratën e zonjës Mogherini.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)