Kosova e Serbia do të takohen sot në Bruksel në nivel teknik
Bruksel, 7 shtator - Delegacionet e Republikës së Kosovës dhe Serbisë për dialog, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian do të zhvillojnë takime sot dhe nesër në Bruksel.
Takimi do të jetë në nivel të ekspertëve, ku do të jenë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovë në kuadër të Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviç.
Gjatë ditës së sotme pritet që delegacionet e të dyja shteteve të zhvillojnë takime me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe ekipin e tij, ndërkaq më 8 shtator do të zhvillohet një takim ndërmjet dy delegacioneve, me ndërmjetësimin e bllokut evropian.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se në këto takime do të diskutohen “çështjet aktuale” dhe për “rrugën përpara në vazhdimin e dialogut”. Ai ka thënë se blloku pret që palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialog, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me vizitat zyrtare.
“Palët janë pajtuar për modalitete të qarta për shqyrtimin dhe zbatimin e vizitave zyrtare dhe kjo marrëveshje nuk do të duhej të politizohej. Vizitat nga të dyja palët duhet të bëhen në atë mënyrë që ndihmon procesin e normalizimit të raporteve dhe kontribon në punën e përgjithshme në kuadër të dialogut. U bëjmë ftesë palëve që të adresojnë dhe zgjidhin të gjitha mospajtimet, përfshirë vizitat zyrtare, në kuadër të dialogut dhe të promovojnë atmosferë e cila është në përputhje me pajtimin, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin në dobi të qytetarëve”, ka thënë Stano.