Kosova e interesuar për marrëdhënie strategjike me Vatikanin
Vatikan, 22 maj - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, po qëndron për vizitë zyrtare në Vatikan, ku sot është pritur në takim nga, Sekretar shteti i Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin.
Të arriturat e vendit në aspektin politik dhe demokratik, pozicioni i Kosovës karshi vendeve të rajonit dhe bashkëpunimi ekonomik dhe diplomatik me këto vende, ishin disa nga temat e diskutimit në këtë takim.
“Kosova është e përkushtuar që të vazhdoj avancimin e raporteve me Vatikanin dhe se njohja e shtetësisë së Kosovës nga Vatikani, është hap i nevojshëm”, tha Kryeministri Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj përmendi edhe faktin se liria fetare dhe orientimi euro-atlantik i Kosovës janë vlera të pacenueshme, vlera këto që duhet të promovohen edhe në raportet mes dyja vendeve.
“Shteti i Kosovës është faktor i rëndësishëm i paqes dhe i stabilitetit si dhe promovuese e fqinjësisë së mirë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës dhe Qeverisë për përkrahjen e vazhdueshme të Selisë së Shenjtë dhënë Kosovës.
“Kosova është e interesuar që në Ballkan të shtyjë procesin e paqes permanente dhe pajtimit, në të njëjtën frymë, Kosova është e interesuar të ketë marrëdhënie strategjike me Vatikanin”, ishte qëndrimi i Kryeministrit Haradinaj.
Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, e inkurajoi popullin e Kosovës për paqe, pajtim dhe prosperitet me vendet fqinje dhe në rrugën e saj drejt integrimeve euro-atlantike.
Qëndrimi i Kryeministrit Haradinaj në Selinë e Shenjtë po bëhet në kuadër të vizitës zyrtare në këtë vend, në të cilën do të zhvillohen një ser takimesh me nivele të larta dhe me interes për vendin.
Pas pritjes nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, Kryeministri Haradinaj i bëri vizitë edhe Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, qendra e Selisë së Shenjtë.