Kosova e Hungaria zgjerojnë bashkëpunimin


Budapest, 10 dhjetor - Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Hungari, u prit në Budapest edhe nga kryeministri Viktor Orbán dhe kryeparlamentari László Kövér.
Në takimin bilateral me kryeministrin hungarez, zëvendëskryeministri Thaçi tha se viti 2015 ishte vit evropian për Kosovën, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe plotësimin e kushteve për liberalizimin e vizave.
Ai kafalënderuar kryeministrin Orbán për përkrahjen e vazhdueshme të Hungarisë për Kosovën dhe ka theksuar se marrëveshja ndërshtetërore për bashkëpunim ekonomik, e nënshkruar dje me ministrin e Jashtëm hungarez, Péter Szijjártó, do ti kontribojë zgjerimit të bashkëpunimit mes dy vendeve edhe në sektorin e ekonomisë.
Gjithashtu, edhe kryeministri Orbán u interesua për zhvillimet në Kosovë e rajon dhe shprehu gatishmërinë për të mbështetur nismat për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve.
Pas takimit me kryeministrin Orbán, zëvendëskryeministri Thaçi kishte një takim bilateral edhe me kryetarin e parlamentit hungarez, László Kövér, me të cilin gjithashtu biseduan për bashkëpunimin e mirë mes dy parlamenteve.
Gjatë vizitës zyrtare në Hungari, zëvendëskryeministri Thaçi ka nënshkruar edhe marrëveshjen për transport rrugor të udhëtarëve dhe mallrave, ndërsa ka mbajtur edhe një ligjëratë me temën Jetësimi i perspektivës euroatlantike të Kosovës, para studentëve në Universitetin Kombëtar të Shërbimeve Publike në Budapest (National University of Public Service NUPS), të organizuar nga Instituti për Punë të Jashtme i Hungarisë.