Kosova e Austria nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim
Vjenë, 26 gusht - Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz, kanë nënshkruar sot marrëveshje për bashkëpunim institucional në shkencë, hulumtim, arsim dhe në të gjitha fushat e artit.
Para nënshkrimit të marrëveshjes, ministri Kurz priti në drekë zyrtare zëvendëskryeministrin Thaçi. Zëvendëskryeministri Thaçi e njoftoi homologun e tij austriak për të arriturat e Kosovës në rrugëtim e saj drejt Bashkimit Evropian dhe kërkoi që ky progres të njihet nga BE-ja.
Është qenësore që BE sa më parë të nënshkruajë MSA-në me Kosovën dhe të rekomandojë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, u shpreh zëvendëskryeministri Thaçi, duke theksuar se edhe vet autoritetet e BE-së tashmë e pranojnë që Kosova i përmbushur të gjithë kriteret edhe për MSA-në edhe për liberalizimin e vizave.
Zëvendëskryeministri Thaçi falënderoi ministrin Kurz për mbështetjen e tij dhe të shtetit austriak dhënë Kosovës dhe e ftoi që Austria të vazhdojë të përkrahë Kosovën, me theks të veçantë në synimin për tu anëtarësuar në UNESCO dhe Interpol.
Ministri i Jashtëm austriak, Kurz, e përgëzoi zëvendëskryeministrin Thaçi për lidershipin politik në procesin e dialogut dhe në promovimin e dialogut dhe bashkëpunimit në rajon dhe u zotua se vendi i tij mbetet një avokat i fuqishëm i Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së.