Kosova dhe Serbia bashkëpunojnë për fuqizimin e grave
Prishtinë, 8 korrik - Tetëmbëdhjetë gra, anëtare të rrjetit parlamentar të grave të Serbisë dhe të grupit joformal të grave në Kuvendin e Kosovës, gra përfaqësuese të institucioneve tjera vendim-marrëse, udhëheqëse nga komuniteti akademik, shoqëria civile dhe mediat, janë bashkuar në një takim të mundësuar nga OSBE-ja në Budvë, Mal të Zi, për të këmbyer përvojat dhe për të identifikuar nisma të përbashkëta për të nxitur fuqizimin e gruas në të gjithë sektorët e shoqërisë.
Nga 6 deri më 8 korrik 2013, pjesëmarrëset kanë diskutuar strategjitë për të avancuar pjesëmarrjen aktive të gruas në hartimin e politikave publike, për të forcuar zërin e tyre brenda partive politike, për të rritur vëmendjen e mediave ndaj temave që kanë të bëjnë me gratë, si dhe për të përkrahur në mënyrë aktive një pozitë më të mirë të gruas në shoqëri.
Fuqizimi i gruas nuk është privilegj i një partie politike apo një subjekti të vetëm. Bashkimi i përpjekjeve tona në përkrahje të gruas është një mjet thelbësor për të arritur rezultate të prekshme, theksoi Teuta Sahatqija, Kryetare e Grupit Joformal të Grave Deputete.
Po diskutonim një spektër të gjerë të çështjeve gjinore në takimet tona, si dhe gjetëm shumë ngjashmëri. Më pëlqeu kjo!, tha Gordana Comic, anëtare e rrjetit parlamentar të grave në Parlamentin e Serbisë.
Fuqizimi i rolit të gruas në vendim-marrjen politike është parakusht i domosdoshëm për përmirësimin e kushteve të jetesës së grave në të gjithë sektorët e shoqërisë. Qëllimi ynë është që tua mundësojmë grave të luftojnë vetë për të drejtat e tyre, si dhe të sigurojmë që zëri i tyre të dëgjohet, shtoi Sonja Lokar, Udhëheqëse e Rrjetit të Evropës Qendrore dhe Lindore për Çështje Gjinore, moderatore e këtij takimi.
Pjesëmarrëset u pajtuan që të vazhdojnë dialogun e tyre, duke filluar me një takim përcjellës për fuqizimin e gruas në partitë politike. Ato gjithashtu kanë diskutuar për inicimin e fushatave publike për promovimin e barazisë së grave e burrave në kuptimin e trashëgimisë dhe për realizimin e të drejtave pronësore në përpjekje për të avancuar pavarësinë financiare të grave.