Kosova dhe Serbia arrijnë tri marrëveshje
Nën udhëheqjen e Zëvendëskryeministres znj. Edita Tahiri, delegacioni i Republikës së Kosovës mbështetur në Kushtetutën e Kosovës, ligjet në fuqi dhe Rezolutën e Kuvendit të Kosovës për dialogun teknik, në këtë raund i ka arritur tre marrëveshje ndërshtetërore me Serbinë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Marrëveshjet që u arritën në këtë raund të dialogut teknik janë: marrëveshja për lëvizjen e lirë, marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave universitare dhe marrëveshja për kthimin e regjistrave civilë.
Marrëveshja për Lëvizjen e lirë është e bazuar mbi parimet e reciprocitetit të plotë midis dy shteteve, vullnetit të mirë dhe bashkëpunimit të ndërsjellë. Qëllimi i saj kryesor është mundësimi i qarkullimit të lirë të qytetarëve dhe automjeteve nga njëri shtet në tjetrin dhe për në vendet e treta.
Marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave universitare është në linjë të plotë me praktikat evropiane dhe marrëveshjeve ndërshtetërore me të cilën mundësohet njohja reciproke e diplomave universitare midis dy vendeve duke u mundësuar studentëve nga të dyja vendet perspektiva edukimi të mëtejmë dhe punësimi në shtetet përkatëse.
Marrëveshja për kthimin e regjistrave civilë, i kontribuon kompletimit të regjistrit civil të Kosovës përmes të cilit Kosova praktikisht përmbush një prej kritereve për marrjen e liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian.
Këto marrëveshje janë një arritje shumë e rëndësishme për të dyja vendet ngase ngërthejnë vlerat e larta civilizuese dhe demokratike, janë në frymë dhe konform standardeve euro-atlantike dhe kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe përafrojnë Kosovën me Bashkimin Evropian.
Arritjet e shënuara në këtë raund të dialogut teknik ndikojnë në përmirësimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore dhe bashkëpunimet rajonale, që janë kritere të Kopenhages për integrim në BE.
Përmes këtyre arritjeve në këtë raund të dialogut teknik, Republika e Kosovës ka shënuar një hap të rëndësishëm drejt ushtrimit të sovranitetit të saj në politikën e jashtme dhe ka avancuar interesat nacionale dhe interesat e qytetarëve.
Ndërmjetësi i dialogut teknik z. Robert Cooper do ti bëjë publike përmbajtjet e plota të marrëveshjeve të arritura ditën e hënë më 4 korrik 2011.
Marrëveshjet do të fillojnë të implementohen menjëherë dhe se Bashkimi Evropian përmes mekanizmave të saja do të jetë koordinues, lehtësues dhe monitorues përgjatë zbatimit të tyre.
Raundi i gjashtë i dialogut teknik pritet të mbahet kah mesi i muajit korrik.