Kosova dhe Sebria kanë nevojë për një marrëveshje përfundimtare
Bruksel, 31 gusht - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi,
ka marrë sot pjesë në takimin me presidentin e Serbisë, Aleksander
Vuçiqin, i lehtësuar nga Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për
politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini.
Pas takimit,
presidenti Thaçi ka thënë se ka qenë një takim korrekt, në të cilin
janë diskutuar hapat e mëtutjeshëm për fillimin e një faze të dialogut
mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e plotë të
marrëdhënieve dhe pajtim.
“Edhe Kosova edhe Serbia, qytetarët e
dy vendeve kanë nevojë për një marrëveshje përfundimtare që u hap
perspektivë të dy vendeve tona”, ka theksuar ai.
Sipas tij,
Kosova dhe Serbia janë dy shtete të pavarura dhe si fqinjë ekziston një
domosdoshmëri për komunikim. Presidenti ka ritheksuar se kjo fazë e re e
dialogut duhet të fillojë sa më shpejt që është e mundur dhe të kryhet
sa më shpejt që është e mundur.
“Ne kemi besim të plotë në rolin
udhëheqës të zonjës Mogherini, që duhet të ketë një unitet të
qëndrueshëm të Bashkimit Evropian dhe një mbështetje të fuqishme të
Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shtuar ai.
Duke folur për
përmbajtjen e takimeve të ardhshme, presidenti Thaçi ka thënë se do të
diskutohen tema që kanë mbetur ende të hapura, që janë të nevojshme të
përmbyllen njëherë e përgjithmonë për t’i dhënë fund armiqësive
njëshekullore.
“Sot, mes Kosovës dhe Serbisë, kemi një komunikim
më normal se që ka qenë më herët. Marrëveshja përfundimtare do të jetë
ndihmuese për njëra-tjetrën, por edhe marrëveshja mes Kosovës dhe
Serbisë nënkupton marrëveshje për paqe dhe stabilitetin për tërë rajonin
e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai.
Presidenti Thaçi nga
Brukseli ka bërë thirrje që sa më parë të krijohen institucionet e
Kosovës, të dala nga zgjedhjet e 11 qershorit. “Ftoj gjithë spektrin
politik që sa më shpejt të formohet Qeveria, të konstituohet dhe të
funksionalizohet Kuvendi i Kosovës”, ka shtuar ai.
Presidenti ka
thënë se pas krijimit të institucioneve, në mënyrë sa më konsensuale të
mundshme, përmes Ekipit të Unitetit, Kosova të përfaqësohet në këtë
pjesë finale, përmbyllëse, historike të shtetndërtimit.
Ai ka thënë se çdo zgjidhje përfundimtare do të jetë në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve të Kosovës.
“Për
këtë arsye kam thirrur për krijimin e një baze të gjerë përfaqësuese të
spektrit politik kosovar dhe të shoqërisë civile, të medieve dhe
opinionbërësve”, ka shtuar ai.