Kosova dhe ndërkombëtaret me qëndrime unike për veriun
Prishtinë, 3 gusht - Nën drejtimin e kryeministri Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të 29-të, në të cilën ka miratuar pesë projektligje dhe katër vendime nga fusha e veprimit të saj ligjor dhe kushtetues.
Kryeministri Hashim Thaçi ka njohur kabinetin qeveritar për zhvillimet e fundit në angazhimet për të vënë sundimin ligjit dhe rendit në tërë territorin e Kosovës.
Thaçi ka theksuar se tashmë Kosova dhe bashkësia ndërkombëtare kanë qëndrime unike për veriun e vendit, që do të thotë se nuk do të ketë kthim në gjendjen e para 25 korrikut. Kjo është konfirmuar edhe nga Brukseli dhe nga Uashingtoni, ka thënë kryeministri Thaçi.
Ajo gjendje është e pakthyeshme dhe definitivisht do të kemi respektim të plotë të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, me ndërprerje të plotë të kontrabandës. Ky është një qëndrim shumë i avancuar, një qëndrim që kërkon natyrisht vazhdimin e angazhimeve tona të mëtutjeshme, në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës, ligjet e Kosovës u shpreh kryeministri Thaçi dhe shtoi se kemi edhe konfirmimin edhe zyrtar nga deklarimet dhe qëndrimet e shefit të EULEX-it se EULEX do të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe do të veprojë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Vendimi për të futur në kontroll vendkalimet kufitare në veri të vendit ka qenë i vonuar dhe të gjithë zyrtarët ndërkombëtarë janë të befasuar se pse nuk është vepruar tash e 12 vjet nga ana e institucioneve të Kosovës. Pra, veprimi ka qenë i vonuar, por shumë i drejtë është shprehur në mbledhjen e sotme të qeverisë, Kryeministri Thaçi
Kryeministri Thaçi para anëtarëve të kabinetit qeveritar gjithashtu theksoi se edhe Beogradi ka qenë i informuar se Prishtina do të marrë vendim për vënien e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në tërë territorin e Kosovës.
Beogradi e din se Kosova është vend sovran, është vend i pavarur. Kështu që vendimet tona kanë qenë kushtetuese, ligjore, të drejta dhe janë të pakthyeshme. Tash kërkohet vetëm implementimi i gjendjes së plotë kushtetuese dhe ligjore. Kur theksoj Beogradi ka qenë i informuar për vendimin e Qeverisë së Kosovës, e theksoj se të gjithë e kanë ditur se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do të tolerojë më tutje kontrabandën, krimin, grupet paramilitare, MUP-in serb, në atë pjesë të Republikës së Kosovës tha kryeministri Thaçi.
Për fat të keq zyrtarët serbë ende po futen në mënyrë klandestine, dhe janë të vetmit në Evropë që lëvizin në mënyrë të tillë. Shteti i Kosovës vazhdon këmbëngulësish dhe me argumente të mbajë përgjegjës direkt këta zyrtarë të Beogradit për tensionin dhe dhunën në veri. Ata janë të lidhur ngushtë me kontrabandistët në veri, ata janë duke i inspiruar bllokuesit e rrugëve, dhe qëndrojnë shpeshherë në mesin dhe në ballë të këtyre barrikaduesve. Ata shihen të shoqëruar dhe të mbrojtur nga njerëz paramilitarë të armatosur. Prandaj shteti i Kosovës këta zyrtarë i vlerëson si cenues të të drejtave të njeriut. Ata po mashtrojnë, po paguajnë gra e fëmijë për të qëndruar në barrikada tha z. Thaçi.
Qeveria e Republikës së Kosovës, e ritheksojmë edhe njëherë, është në ballafaqim me shkelësit e ligjit dhe një asnjë rrethanë me popullatën civile. Ne garantojmë siguri, mbrojtje, integrim të plotë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Ne e kemi ditur dhe e kemi ngritur zërin se vazhdimisht prapa veprimeve të kundërligjshme, kontrabanduesve, paramilitarëve, qëndron Qeveria e Beogradit, me çka kësaj radhe definitivisht u vërtetua potencoi kryeministri Thaçi.
Në përfundim të fjalës së tij para anëtarëve të kabinetit qeveritar, kryeministri Thaçi siguroi të gjithë qytetarët e vendit se:
Punët do të vazhdojnë kundër shkelësve të ligjit, paramilitarëve. Nuk do të mund të fshihen në asnjë skutë. Do të ballafaqohen me ligjin. Në asnjë rrethanë nuk do të ketë lehtësira për shkelësit e ligjit. Për shkelësit e ligjit nuk do të ketë amnisti, por do të ketë drejtësi të plotë prej institucioneve të Republikës së Kosovës.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka prezantuar një informatë për rrjedhën e zbatimit të masave të reciprocitetit tregtar me Serbinë, në të cilën ka thënë se zbatimi i këtyre masave është duke u bërë me sukses.
Ministrja Kusari-Lila ka thënë se edhe furnizimi i qytetarëve në veri të Kosovës me mallrat e konsumit ditorë është normalizuar, ndërsa ka theksuar se kërkesat e kompanive nga Lugina e Preshevës që të lirohen nga këto masa, nuk është pranuar për shkak se vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk ka motiv politik e as etnik.
Që nga aplikimi i masave të reciprocitetit, konsumi i mallrave vendore ka shënuar rritje për 10 për qind ka thënë ministrja Kusari-Lila.
Në funksion të mbarëvajtjes së realizimit të projekteve rrugore në Kosovë, Qeveria ka miratuar vendimet për shpronësimet e pronave në brezat rrugorë të trasesë së autostradës Vërmicë-Merdar, Fushë Kosovë-Arllat dhe Prishtinë-Mitrovicë.
Qeveria ka miratuar edhe Vendimin për kufijtë ndarës mes KEK-ut dhe KOSTT.