Kosova dhe Mali i Zi shkëmbejnë ambasadorët gjatë këtij viti
Podgoricë, 11 janar - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka filluar vizitën zyrtare në Mal të Zi.
Ministri Hoxhaj ka thënë se është përcaktuar që vizitën e parë zyrtare për këtë vit ta zhvilloj pikërisht në Podgoricë, për faktin se Mali i Zi është partner shumë i rëndësishëm politik, ekonomik dhe kulturor i Kosovës.
Ministri Hoxhaj të mërkurën është takuar me Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanovic, Kryeministrin Igor Luksic dhe homologun Milan Rocen.
Gjatë takimit me Presidentin Vujanovic, Ministri Hoxhaj e ka njoftuar atë për progresin e vazhdueshëm që po shënohet në Republikën e Kosovës, proceset e gjithanshme shtetndërtuese si dhe reformat që po kryhen nga institucionet kosovare.
Ministri Hoxhaj ka marrë mbështetjen e Presidentit malazez për pjesëmarrjen e Kosovës në të gjitha nismat ndërkombëtare dhe rajonale, duke shprehur vullnetin e shtetit fqinj edhe për avancimin e bashkëpunimit bilateral në të gjitha fushat.
Me pas, Ministri Hoxhaj, është takuar me Kryeministrin e Malit të Zi, Igor Luksic, ku po ashtu është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit bilateral në të gjitha fushat.
Në këtë aspekt, Ministri Hoxhaj dhe Kryeministri Luksic kanë biseduar për projekte konkrete, jetësimi i të cilëve, do të ndihmojë në avancimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin ekonomik reciprok.
Gjatë takimeve të Ministrit të Jashtëm të Kosovës, me Presidentin dhe Kryeministrin e Malit të Zi, është konfirmuar vullneti i dyanshëm për hapjen e ambasadave të dy shteteve në Prishtinë dhe Podgoricë.
Ministri Hoxhaj ka njoftuar udhëheqësit e Malit të Zi edhe për Ligjin e miratuar në Qeverinë e Kosovës, i cili e përfshinë komunitetin malazez në mesin e komuniteteve të Kosovës, vendim që është përshëndetur nga zyrtarët e në Podgoricë.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, po ashtu, është siguruar nga udhëheqësit e shtetit fqinj për integrimin plotë dhe avancimin e mëtutjeshëm të përfaqësimit të shqiptarëve që jetojnë në Mal të Zi, në të gjitha nivelet institucionale të shtetit.
Ministri Hoxhaj, i shoqëruar nga Zv.ministri Ibrahim Gashi dhe një delegacion i MPJ-së së Kosovës, janë takuar me Ministrin e Jashtëm të Malit të Zi, Milan Rocen.
Gjatë takimit, Ministri Rocen ka bërë të ditur se brenda pak muajve, Podgorica dhe Prishtina do të nënshkruajnë disa marrëveshje shumë të rëndësishme në fushën e ekonomisë, sigurisë dhe arsimit.
Ai ka konfirmuar se shumë shpejt do të hapet Ambasada e Malit të Zi në Prishtinë dhe ajo e Kosovës në Podgoricë, duke i vlerësuar të shkëlqyeshme marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.
Hoxhaj dhe Rocen kanë rikonfirmuar vazhdimin e bashkëpunimit intensiv mes dy qeverive në avancimin e agjendës integruese evropiane të dy vendeve.
Ministri Enver Hoxhaj ka thënë se tashmë është përgatitur një listë e gjatë e fushave ku dy shtetet fqinje do të bashkëpunojnë, si dhe projektet konkrete, të cilat do të ndihmojnë ekonomitë e dy shteteve.
Unë jam siguruar nga Presidenti, Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme që shqiptarët që jetojnë në Mal të Zi janë të integruar. Por, unë po ashtu jam siguruar që shqiptarët do të jenë edhe më mirë të përfaqësuar si në nivelin lokal edhe në atë qendror, tha Ministri Hoxhaj.