Kosova dhe Mali i Zi forcojnë marrëdhëniet dypalëshe
Podgoricë, 9 mars - Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Ibrahim Gashi, ka zhvilluar dje një vizitë zyrtare në Mal të Zi.
Ai ka thënë se raportet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi kanë shënuar ngritje në periudhën e pas pavarësisë dhe se shteti malazez është partner i rëndësishëm politik, ekonomik dhe kulturor i Republikës së Kosovës.
Gjatë kësaj vizite, zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Ibrahim Gashi, ka takuar Sekretarin Shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtëm të Malit të Zi, Nebojsha Kalugjeroviq dhe drejtorin politik për marrëdhënie dypalëshe Ramiz Bashiq, me të cilët ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit bilateral në të gjitha fushat, për zhvillimet aktuale në Kosovë, raportet ndërmjet dy vendeve tona fqinje si dhe për marrëveshjen e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë lidhur me përfaqësimin rajonal.
Duke u ndalur rreth pozitës të komunitetit malazias në Kosovë, Gashi ka deklaruar se tashmë ka hyrë në fuqi Ligji për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve, sipas të cilit komuniteti malazias përkufizohet i barabartë me të gjitha grupet kombëtare, etnike, kulturore, gjuhësore apo fetare tradicionalisht të pranishme në Republikën e Kosovës.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e MPJ-së kanë vlerësuar këtë angazhim të institucioneve kosovare dhe se një hap i tillë e bashkë me të edhe letra e Ministrit të Jashtëm Enver Hoxhaj, drejtuar homologut malazias, Milan Rocen janë pritur mirë në Mal të Zi.
Gashi po ashtu, është siguruar nga zyrtarët e lartë të shtetit fqinj për integrimin e plotë dhe avancimin e mëtutjeshëm të përfaqësimit të shqiptarëve që jetojnë në Mal të Zi, në të gjitha nivelet institucionale të shtetit.
Gjatë këtij takimi zëvendësministri Gashi është pritur edhe nga Ivana Petriqeviq, shefe e kabinetit të Kryeministrit malazias dhe bashkëpunëtorë të tjerë, me çrast është biseduare për projekte konkrete, jetësimi i të cilëve, do të ndihmojë në avancimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin ekonomik reciprok, si dhe është konstatuar se ekziston gatishmëria për hapjen e ambasadave të dy shteteve në Prishtinë dhe Podgoricë. Është biseduar edhe për disa marrëveshje shumë të rëndësishme në fushën e ekonomisë, sigurisë dhe arsimit.
Zëvendësministri Gashi po ashtu ka zhvilluar një takim me zëvendëskryetarin e Odës Ekonomike të Malit të Zi, Ivo Saveljiq. Të dy bashkëbiseduesit kanë potencuar nevojën e pranisë të kompanive dhe mallrave malaziase në tregun kosovar, dhe të mallrave kosovare në tregun e Malit të Zi, duke shtuar se planin ekonomik ekziston hapësirë për një komunikim më dinamik në fushën e ekonomisë.
Kosova është e interesuar që Mali i Zi të jetë ndër partnerët e saj kryesor në rajon. Shpresojmë po ashtu që të shohim më shumë prodhime kosovare në tregun e Malit të Zi, dhe anasjelltas, prodhimet malazeze në tregun e Kosovës. Ne jemi tregje të vogla e të papërfillshme, me ekonomi të integruar dhe tregjet globale, por mund të realizojmë shumë projekte të përbashkëta, ka theksuar Gashi.
Ndërkaq, Ivo Saveljiq ka bërë të ditur se kohëve të fundit është shtuar interesimi i kompanive malaziase për të qenë të pranishme në tregun kosovarë dhe ka mirëpritur idenë për organizmin e një forumi ekonomik në Prishtinë, me çrast do të promovoheshin kompanitë dhe produktet malaziase.
Zëvendësministri Gashi ka thënë se tashmë është përgatitur një listë e gjatë e fushave ku dy shtetet fqinje do të bashkëpunojnë, si dhe projektet konkrete, të cilat do të ndihmojnë intensifikimin e marrëdhënieve ekonomitë ndërmjet dy shteteve.