Kosova dhe Kolumbia do të forcojnë bashkëpunimin bilateral
New York, 29 shtator - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, është takuar në New York me Ministren e Punëve të Jashtme të Kolumbisë, María Ángela Holguín Cuéllar.
Ministri Hoxhaj ka falënderuar homologen kolumbiane për mbështetjen që shteti i saj ka dhënë për Kosovën, përfshirë edhe njohjen e Republikës së Kosovës pak muaj pas shpalljes së pavarësisë.
Hoxhaj e ka njoftuar Ministren Cuéllar me zhvillimet në Kosovë dhe proceset e forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar, duke kërkuar mbështetjen e Kolumbisë për përmbylljen e procesit të njohjeve nga vendet e Amerikës Latine.
Ministrja e Punëve të Jashtme e Kolumbisë, María Ángela Holguín Cuéllar, ka vlerësuar progresin që po arrin Kosova në të gjitha fushat, duke theksuar vazhdimin e mbështetjes së Kolumbisë për Kosovën në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.
Hoxhaj dhe Cuéllar po ashtu kanë diskutuar për format e rritjes së bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy vendeve në të gjitha fushat.