Kosova dhe Kanadaja së shpejti me Marrëveshje për Mbrojtje të Investimeve
Prishtinë, 22 nëntor - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe Ministri për Tregti Ndërkombëtare i Kanadasë, François-Philippe Champagne, sot janë zotuar se Kosova dhe Kanadaja së shpejti do ta kenë Marrëveshjen për Mbrojtje të Investimeve në mes dy vendeve tona, duke nënshkruar Letrën e Qëllimit të Mirë, e cila i paraprin kësaj marrëveshjeje.
Presidenti Thaçi ka thënë se bashkëpunimi bilateral ndërmjet Kosovës dhe Kanadasë është në rritje, veçanërisht në ekonomi, me theks të veçantë në fushën e minierave.
Ndërsa, Ministri për Tregti Ndërkombëtare i Kanadasë, François-Philippe Champagne, ka thënë se Marrëveshja për Mbrojtje të Investimeve do të ketë shumë rëndësi për çdo investim të mundshëm në Kosovë.
Presidenti Thaçi dhe ministri kanadez, François-Philippe Champagne, kanë folur edhe për reformat e bëra në ekonominë e Kosovës, ku konfirmim i suksesit në këto reforma është edhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian, si dhe pranimi i Kosovës në programin e Korporatës për Sfidat e Mijëvjeçarit të Kongresit Amerikan.
Presidenti Thaçi ka thënë se investimet kanadeze janë shumë të rëndësishme për ekonominë e Kosovës.