Kosova anëtarësohet në Komisionin e Venedikut të Këshillit të Evropës
Prishtinë, 11 qershor - Kosova është anëtarësuar sot në Komisionin e Venedikut, njërin prej institucioneve të rëndësishme të Këshillit të Evropës, një vit pas anëtarësimit në Bankën Zhvillimore, duke e dërguar në dy numrin e institucioneve të Këshillit të Evropës që Kosova anëtarësohet brenda një viti.
35 shtete kanë votuar pro anëtarësimit që shënon edhe hapin final drejt aplikimit për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj duke përshëndetur anëtarësimin në këtë organizatë dhe falënderuar të gjitha vendet për përkrahjen ka thënë se ky anëtarësim përbën forcim dhe ngritje të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.
I falënderoj të gjitha shtetet mike e veçmas homologët e mi me të cilët gjatë këtyre javëve kemi komunikuar dhe koordinuar hapat e aplikimit dhe anëtarësimit të Kosovës në Komisionin e Venedikut.\"
\"Ky është një hap i rëndësishëm për Kosovën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës si një prej institucioneve kyçe panevropiane drejt integrimit të plotë të Kosovës në Bashkimin Evropian.\"
\"Me këtë anëtarësim, Kosova do të përfitoj drejtpërdrejt në rrafshin e forcimit të mëtejshëm të demokracisë, reformave kushtetuese dhe zgjedhore, ka thënë Hoxhaj, i cili disa herë ka qëndruar për lobim në Strasburg dhe koordinuar hapat me vendet mike.
Kryediplomati kosovar ka falënderuar edhe shoqërinë civile në Kosovë për kontributin e tyre në avancimin e shtetit tonë në raport me Këshillin e Evropës.
Ky Komision është organ këshillimor i Këshillit të Evropës për shumë çështje veçmas kushtetuese dhe zgjedhore.
Misioni i Komisionit të Venecias të Këshillit të Evropës është që të sigurojë këshilla ligjore për shtetet anëtare të saj dhe në veçanti, për të ndihmuar ata që dëshirojnë të bëjnë strukturat e tyre ligjore dhe institucionale në përputhje me standardet dhe përvojën ndërkombëtare mbi demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.
Komisioni i krijuar në vitin 1990 përbëhet nga 59 vende anëtare: 47 Shtete vendet anëtare të Këshillit të Evropës janë anëtarë të Komisionit të Venecias, si dhe 12 vende anëtare të tjera. Tani e tutje me Kosovën do të ketë 60 vende anëtare.