Koshtunica: Të pengohet vendosja e kufirit me Kosovën

Në një intervistë për gazetën e sotme Danas të Beogradit, Koshtunica, ka thënë seangazhohem fuqimisht që Serbia ti drejtojë kërkesë Këshillit të Sigurimit të KB që të ndërpriten negociatat nën mbikëqyrjen e Brukselit dhe ato të kthehen nën mandatin e plotë të KS, sepse ashtu është përcaktuar edhe me Rezolutën 1244.
Duke cekur se kufiri është në çdo kuptim çështje e të gjitha çështjeve dhe këtij pushteti i ka rënë barra të bartet më ate, Koshtunica ka thënë se në qoftë se pushteti e vendos kufirin me Kosovën, atëherë nuk nevojitet kurrfarë platforme.
Koshtunica ka rikujtuar se partia e tij ka parashtruar kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së të gjitha dekreteve që dalin nga marrëveshjet e Brukselit, përfshirë edhe atë mbi menaxhimin e integruar të vendkalimeve, dhe ka cekur se në Gjykatën Kushtetuese tani është përgjegjësia më e madhe, respektivisht historike.
Sa i përket vendimit të Gjykatës së Hagës për ta liruar Ramush Haradinajn, Koshtunica ka thënë se në vepër është atakimi gjithëpërfshirës dhe i menduar mirë i fuqive të mëdha ndaj Serbisë.
Serbia është rrezikuar, është rrezikuar territori i saj, identiteti i saj, rendi i saj kushtetues, ekonomia dhe vertikale e saj morale mbi të cilën mbështetet, ka theksuar ai.
Në pyetjen se si do të mund të definohej nga aspekti juridik procesi i normalizimit të raporteve të një shteti me autoritetet e vetëshpallura të pjesës së territorit të saj, Koshtunica ka thënë se përgjigjen në këtë e ka dhënë para do kohësh një diplomat i rëndësishëm perëndimor - normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës e Beogradit ka për qëllim të mundësojë njohjen e përgjithshme të pavarësisë së Kosovës.
Me këtë, siç ka thënë Koshtunica, normalizimi i marrëdhënieve me separatistët nënkupton edhe minimin direkt të Kushtetutës së Serbisë dhe rrezikimin e interesave tona kombëtare e shtetërore.
/rtk/