Korrupsioni rrezikon BE-në
Bruksel, 7 maj - Organizata prestigjioze kundër Transparency International (TI) lëshoi kohët e fundit raportin e parë mbi Bashkimin Evropian dhe institucionet e tij, si Parlamenti Evropian dhe të tjera, ku vihet në dukje se BE ka një sërë të metash.
Kjo është hera e parë që Transparency International shqyrton Bashkimin Evropian. Dhe sipas autorit të studimit Mark Perara institucionet e BE-së kanë të meta të dukshme.
Sistemi ka një sërë të metash, siç është vendim-marrja jotransparente e BE-së, si dhe mungesa e transparencës për lobizmin brenda BE-së. Po ashtu duhet të përmirësohet mënyra se si menaxhohen konfliktet e interesit për zyrtarët e lartë të BE-së. Sistemi, nga ana tjetër, nuk ofron mbrojtje të mjaftueshme për ata që kritikojnë nga brenda institucionet e BE-së. Për ne kjo është diçka jetike për identifikimin e korrupsionit. Dhe, ne gjithashtu pamë se masat ndëshkimore për kompanitë e korruptuara janë të dobëta.
Një nga format më të përhapura të korrupsionit është përmes lobizmit përmes ndikimit nga jashtë të zyrtarëve dhe deputetëve. Raporti thekson se rregullat, mbi të cilat bazohet veprimtaria e grupeve lobiste ndaj zyrtarëve të BE-së, janë shumë të dobëta.
Jakob Kirkegaard, me Institutin Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare është dakort me këtë konstatim.
Është absolutisht e domosdoshme që të ketë rregulla të forta për një institucion si BE-ja, i cili është përgjegjës për shumë ligje për gjithë Evropën. Një situatë e tillë ku të mungojë njohja e fuqisë lobiste dhe lidhja e lobistëve me ligjbërësit, mendoj se duhet të jetë e papranueshme për çdo vend demokratik.
Udhëheqësit dhe ligjvënësit e shumë vendeve janë të detyruar me ligj të bëjnë të njohura pasuritë e tyre, interesat dhe investimet, në mënyrë që qytetarët të binden se vendimet nuk janë bërë në konflikt me interesat e publikut. Zoti Perara thotë se ky është një tjetër problem për BE-në:
Besojmë se anëtarët e Parlamentit Evropian dhe të Komisionit Evropian e kanë për detyrë të deklarojnë interesat e tyre financiare. Megjithatë, ne vumë re se nuk kishte prova që sugjerojnë se deklaratat e tyre financiare janë duke u verifikuar në mënyrë sistematike dhe gjithëpërfshirëse.
Zoti Kirkegaard i Institutit Peterson thotë se ka gjasa të jetë e vështirë për BE-në për të forcuar ligjet dhe procedurat kundër korrupsionit.
Për të gjetur një zgjidhje reale për këtë duhet të rishikohet dhe të reformohet i ashtuquajturi traktati i BE-së, i cili është një proces politik jashtëzakonisht i vështirë, njësoj sikur të ndryshohej Kushtetuta amerikane, gjë që është diçka që legjislatura nuk e bën shpejt.
Megjithatë, sondazhet tregojnë se rreth 70 për qind e banorëve të BE-së besojnë se institucionet e saj mund të preken nga korrupsioni. Dhe zyrtarët e Transparency International thonë se në qoftë se krerët e BE-së janë të shqetësuar për këtë, atëherë duhen marrë masa për të neutralizuar rreziqet para se ato të shndërrohen në skandale korrupsioni.