Koreja e Veriut përballet me mungesa të mëdha ushqimesh
Phenian, 9 prill - Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, u bëri thirrje qytetarëve të tij që të përgatiten për një krizë “të vështirë”.
Deklarata vjen pas paralajmërimeve të grupeve për të drejtat e njeriut se Koreja e Veriut përballet me mungesa të mëdha ushqimesh dhe paqëndrueshmëri ekonomike.
Duke folur në një konferencë të partisë, Kim e krahasoi situatën me një uri famëkeqe vdekjeprurëse, në vitet 1990.
Koreja e Veriut i ka mbyllur kufijtë e saj për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Kjo ka bërë që edhe tregtia e saj me Kinën të ngecë.
Koreja e Veriut po ashtu përballet me sanksione ekonomike ndërkombëtare, për shkak të programit të saj bërthamor.
Në një pranim të rrallë të vështirësive, Kim përmendi “Marsin e Mundishmëm”.
Zyrtarët verikoreanë e përdorin këtë term për t’iu referuar urisë shkatërruese në vitet 1990, kur rënia e Bashkimit Sovjetik e ka lënë Korenë e Veriut pa ndihmë thelbësore.
Rreth 3 milionë njerëz vlerësohet të kenë vdekur gjatë asaj periudhe.
Muajin e kaluar, raportuesi i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut në Korenë e Veriut, Tomas Ojea Quintana, ka thënë se “kriza e rëndë ushqimore” tashmë ka shkaktuar uri dhe kequshqyerje në vendin komunist.