12 Janar 2025

Kongresmen amerikan kërkojnë ndërprerjen e ndihmave Egjiptit

Washington, 20 gusht - Një numër gjithnjë e më i madh ligjvënësish amerikanë kanë bërë thirrje për prerjen e ndihmave amerikane për Egjiptin.

Ligjvënësit amerikanë shfrytëzuan median për të shprehur shqetësimin e tyre, ndërkohë që qeveria e përkohëshme e Egjiptit po shqyrton mundësinë për të nxjerrë jashtë ligji Vëllazërinë Myslimane, e cila kërkon kthimin në post të Presidentit të rrëzuar Mohamed Morsi.

Muajin e kaluar, senatorët republikanë John McCain dhe Kelly Ayotte ndihmuan për të rrëzuar një mocion që kërkonte pezullimin e ndihmave amerikane për Egjiptin. Dje u duk qartë se të dy ata kishin ndërruar mendim.

Në komentet për emisionin Meet the Press të rrjetit NBC, Senatorja Ayotte tha se vazhdimi i ndihmave po i dërgon mesazhin e gabuar ushtrisë egjiptiane pas një javë gjakderdhjeje:

\"Pas shtypjes së fundit me dhunë, nuk e shoh të mundur të vazhdojnë ndihmat. Mendoj se ndihmat duhet të pezullohen. Për fat të keq mendoj se ushtria egjiptiane ka krijuar bindjen se pavarësisht nga veprimet e saj, ne do të vazhdojmë të dërgojmë ndihma”.

Po në të njëjtin emision televiziv, Senatori demokrat Jack Reed tha se ngjarjet e fundit në Egjipt kërkojnë një ndryshim të politikave amerikane për ndihmat. Por ai theksoi se Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të jenë të angazhuara me Egjiptin.
 
Ndërkaq, Sekatori republikan Bob Corker tha se beson që kërkohet një analizë e politikave të ndihmave amerikane dhe një kufizim i këtyre ndihmave. Por ai shtoi se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të harrojnë interesat jetike në Egjipt dhe Lindjen e Mesme:

\"Ne duam bashkëpunimin e tyre në Sinain veri-lindor. Ne duam bashkëpunimin e tyre për mundësinë e shfrytëzimit të Kanalit të Suezit. Prandaj duhet të analizojmë interesat tona kombëtare”.
 
Zoti Corker i bëri komentet në emisionin This Week të rrjetit ABC.

Ligji amerikan kërkon pezullimin e ndihmave ushtarake pas një grushti shteti, por administrata e zotit Obama nuk e ka përdorur këtë term për të përshkruar rrëzimin e zotit Morsi.

Po në komentet për emisionin This Week, ligjvënësi Eliot Engel tha se Egjipti mbetet një vend i rëndësishëm dhe se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të nxitohen për të anuluar ndihmat.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)