Kongresistët e senatorët amerikanë shprehin përkrahje për Kosovën
Washington, 7 shkurt - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka zhvilluar takime me kongresistë dhe senatorë amerikanë.
Gjatë takimeve me kongresistët Eliot Engel, Robert Aderholt, Louie Gohmert, Janice Hahn dhe Randall M.Hultgren, Hoxhaj ka prezantuar progresin e brendshëm që po arrihet në Republikën e Kosovës.
Ministri Hoxhaj po ashtu ka folur për agjendën euroatlantike, avancimin e procesit të njohjeve ndërkombëtare, dialogun me Serbinë si dhe bashkëpunimin ekonomik me SHBA-të.
Vëmendje e veçantë gjatë takimeve i është kushtuar të ardhmes atlantike të Kosovës, me çrast Hoxhaj ka kërkuar mbështetjen e kongresistëve amerikanë që Kosova të jetë anëtare e Partneritetit për Paqe dhe në një të ardhme e NATO-s.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, po ashtu ka zhvilluar një takim me senatorin amerikan Roger F. Wicker.
Kongresistët dhe senatorët e shquar amerikanë i kanë shprehur ministrit Hoxhaj përkrahje të fuqishme për shtetin e Kosovës dhe proceset integruese atlantike.
Ministri Enver Hoxhaj po qëndron në një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me çrast të enjten ka zhvilluar edhe një takim me sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, John Kerry në kuadër të Lutjeve të Mëngjesit në Uashington.