Komisionit Evropian sot shpalli 7 grante të reja për shoqërinë civile
Prishtinë, 19 janar - Zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian sot shpalli shtatë grante të reja për shoqërinë civile që financohen nga Instrumenti Evropian për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut (EIDHR).
Projektet e reja të EIDHR-së do të promovojnë të drejtat e njeriut dhe demokracinë në Kosovë përmes mbrojtjes të të drejtave të grave, promovimit të kulturës (filmit dhe teatrit) duke u përqendruar te fëmijët dhe të rinjtë si faktorë për zhvillim social dhe demokraci, ofrimin e ndihmës ligjore pa pagesë kryesisht duke synuar minoritetet dhe komunitetet e margjinalizuara, parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore dhe promovimin e lirisë së shprehjes.
Renzo Daviddi, shef i Zyrës ndërlidhëse të KE-së tha: Një prej shenjave më të qarta të demokracisë solide është mundësia për të vënë procesin e vendimmarrjes në shqyrtim publik në mënyrë që autoritetet të mbahen përgjegjës dhe për të siguruar se ata përfaqësojnë interesat më të mira të publikut. Në këtë aspekt, roli i një sektori të fuqishëm të shoqërisë civile është esencial".
BE-ja sipas tij mbetet e përkushtuar në vazhdimin e përkrahjes së përpjekjeve të OJQ-ve të Kosovës.
Projektet kanë filluar më 17 janar dhe janë duke u implementuar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), Dokufest, Platforma për Integrim dhe Zhvillim, Teatri Oda, Medika Kosova, Qendra Evropiane për çështje të Minoriteteve në Kosovë dhe Qendra për Mbrojtjen e Viktimave dhe për Parandalimin e Trafikimit të Qënieve Njerëzore.
EIDHR si instrumenti kryesor i Komisionit Evropian për përkrahjen e shoqërisë civile është implementuar në Kosovë nga viti 2008. Skema e re e granteve të EIDHR për Kosovë pritet të filloj në fund të vitit 2011 me anë të thirrjeve të reja për propozime.