Komisionit Evropian miraton studimin e fizibilitetit për Kosovën
Prishtinë, 10 tetor - Komisionit Evropian në raportin për Kosovën ka bërë të ditur se ka miratuar Studim të Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën.
Ky studim konfirmon se kjo marrëveshje mund të vendoset ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës në një situatë ku vendet anëtare të BE-së mbajnë qëndrime të ndryshme rreth statusit të Kosovës
Gjithashtu Komisioni ka propozuar negociimin e direktivave për një marrëveshje të Stabilizim Asociimit me Kosovën kur ajo të bëjë progres në përmbushjen e një numri të prioriteteve afat shkurtra, thuhet në raport.
Përfaqësuesi Special i BE-së, Samuel Zhbogar deklaroi se në shumë fusha Kosova është në masë të madhe e gatshme për këtë proces.
Kosova ka bërë shumë. Institucionet kryesore dhe legjislacioni themelor ekzistojnë. Në shumë fusha Kosova është në masë të madhe e gatshme për këtë proces. Procesi që po lansohet sot e vë Kosovën në rrjedhën e raporteve në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, u shpreh Zbogar.
Është qenësore që Kosova të vazhdojë zbatimin e marrëveshjeve të arritura ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe të angazhohet konstruktivisht në një varg çështjesh, me ndërmjetësimin e BE-së.
Një përmirësim i dukshëm dhe i qëndrueshëm në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i nevojshëm, në mënyrë që të dyja vendet ti vazhdojnë rrugët e tyre drejt BE-së. Asnjëra palë nuk mund ta bllokojë palën tjetër gjatë këtyre përpjekjeve.
Studimi i Fizibilitetit vlerëson gatishmërinë e Kosovës për të nisur negociata për një Marrëveshje të Stabilizim-Asocimit (MSA). Ky studim konfirmoi se nuk ka pengesa ligjore për realizimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit midis Kosovës dhe BE-së.
Ndërkaq, sipas komunikatës së Zyrës së BE-së në Kosovë, komisionari për Zgjerim, Stefan Fule ka thënë se Kosova po ec me hapa të mëdhenj në shtegun e saj drejt Bashkimit Evropian.
Këtë vit Kosova ka pranuar udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, ka pasur progres në pjesëmarrje në programet e BE-së dhe tani ka pranuar Studimin e Fizibilitetit për një MSA. Në këtë studim Komisioni e bën të qartë se ai do të propozojë një mandat për një MSA sapo që Kosova të plotësojë prioritetet afatshkurta, theksoi Fule.
Në përgjithësi Kosova është në masë të madhe e gatshme që të nisë negociatat për një MSA sapo ajo të arrijë progres në prioritetet afatshkurta vijuese: sundimi i Ligjit, administrata publike, mbrojtja e minoriteteve dhe kapacitetet tregtare.
Ky studim po ashtu njeh dhe përmend edhe situatën e vështirë në veri të Kosovës.
BE-ja inkurajon si Prishtinën ashtu edhe Beogradin që të vazhdojnë të angazhohen në mënyrë konstruktive në të gjitha çështjet me lehtësimin nga ana e Bashkimit Evropian. Situata aktuale në Kosovën veriore nuk është pengesë për të negociuar një marrëveshje, thuhet në komunikatë.