Komisioni për Punë të Jashtme vazhon vizitën në Bruksel
Prishtinë, 8 prill - Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Albin Kurti, kryetar i Komisionit, po qëndron për vizitë zyrtare në Bruksel. Gjatë ditës së djeshme Komisioni zhvilloi një takim me Delegacionin për Evropën Juglindore të Parlamentit Evropian.
Kryetari i Komisionit, Kurti, e falënderoi z. Eduard Kukan, kryetar i Delegacionit për Evropën Juglindore të Parlamentit Evropian, për ndihmën e deritanishme që i ka dhëne Kosovës rreth kalimit të sfidave me të cilat është përballur Kosova.
Anëtarët e Komisionit diskutuan dhe iu përgjigjen pyetjeve të shtruara nga eurodeputëtet lidhur me çështjen e Tribunalit/Gjykatës së re për krimet e luftës , zgjedhjet e ardhshme parlamentare, liberalizimin e vizave dhe rëndësisë së përfundimit të këtij procesi, duke ndërlidhur edhe çështjen e azilkërkuesve.
Të pranishëm në mbledhje ishin edhe eurodeputetët:Tanja Fajon, Ivo Vajgl, Nikola Vuljanic dhe Knut Fleckenstein.
Gjatë ditës së sotme anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme do të takohen me Daul Joseph, Udhëheqës i zëvendëskryetarëve të Parlamentit Evropian, si dhe me z. Hannes Swaboda (S&D).
Kryesuesi i delegacionit parlamentar nga Kosova, Albin Kurti, do të ketë një takim të veçantë me raportuesen për Kosovës në PE, znj. Ulrike Lunacek.