Komisioni LIBE merr vendim pozitiv për viza për Kosovën
Bruksel, 30 gusht - Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, nga Brukseli ka përgëzuar qytetarët me rastin e marrjes së vendimit pozitiv për viza, në Komisionin LIBE.
Ministrja Hoxha ka theksuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet që janë kërkuar. "Presim që procesi i vendimmarrjes të përmbyllet brenda këtij viti, megjithatë tashmë çdo gjë është në dorën e institucioneve të BE-së. Është koha që Kosova të shpërblehet për punën e bërë me plotësimin e të gjitha kritereve dhe qytetarët tanë të lëvizin lirshëm., ka thekuar Hoxha.
Ja postimi i Ministres Hoxha në rrjetin social:
“Të nderuar qytetarë,
Komisioni LIBE sapo votoi pro liberalizimit të vizave për Kosovën. Ky është edhe një hap drejt lëvizjes së lirë, edhe një sukses i përbashkët drejt afrimit me familjen evropiane.
Pas votimit në Komision, procesi vazhdon në seancën plenare të Parlamentit Evropian që pritet të mbahet në mesin e shtatorit të këtij viti, pastaj në Këshillin e Ministrave e tutje.
Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet që janë kërkuar dhe presim që procesi i vendimmarrjes të përmbyllet brenda këtij viti, megjithatë tashmë çdo gjë është në dorën e institucioneve të BE-së.
Është koha që Kosova të shpërblehet për punën e bërë me plotësimin e të gjitha kritereve dhe qytetarët tanë të lëvizin lirshëm.
Mirëqenia e qytetarëve tanë është dhe duhet të jetë gjithnjë prioritet yni. Qytetarët tanë e meritojnë lëvizjen e lirë.
Urime për këtë sukses të përbashkët!
Ju siguroj se do të kemi transparencë dhe informim me kohë për çdo zhvillim për liberalizimin e vizave.”