Komisioni Evropian i dorëzon Kosovës udhërrëfyesin për viza
Prishtinë, 14 qershor - Sot, Komisionerja e BE-së për Punë të Brendshme, Cecilia Malmström, ia dorëzoi Qeverisë së Kosovës udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.
Ky dokument paraqet një listë gjithëpërfshirëse reformash të cilat duhet ti plotësojë Kosova. Këto reforma kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes, ri-integrimin dhe ri-pranimin, sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufirit dhe migrimin, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe të drejtat themelore.
Përfundimet e dialogut për viza do të varen nga progresi i Qeverisë së Kosovës në plotësimin e këtyre kërkesave.
"Unë jam e kënaqur në veçanti për faktin se pata rastin ta dorëzoj këtë dokument, të pritur me padurim nga Qeverina e Kosovës. Ceremonia e sotme e dorëzim-pranimit të këtij dokumenti, i shpie qytetarët e Kosovës një hap më afër udhëtimit pa viza."
"Udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave përfshin reformat të cilat do të duhet ti implementojë Qeveria e Kosovës, për të krijuar një mjedis të sigurt për të udhëtuar pa viza. Se a do të bëhet realitet udhëtimi pa viza dhe se kur do të bëhet varet nga angazhimi i qeverisë për implementimin e këtyre reformave të vështira në terren, tha Cecilia Malmström.
Në të kaluarën, BE-ja kishte nisur dialogun për liberalizimin e vizave me pesë vendet e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që qytetarëve të tyre tu lejohet udhëtimi pa viza në shtetet e BE-së.
Pas vlerësimit të progresit të arritur nga këto shtete në implementimin e reformave të thella, Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia iu bashkuan regjimit pa viza të BE-së, në dhjetor të vitit 2009 (IP/09/1852), ndërsa Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina në nëntor të vitit 2010 (MEMO/10/548).
Në margjinat e ceremonisë së dorëzim-pranimit, Komisionerja Malmström u takua me Ministren e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, Ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, Kryetarin e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri, zëvendësministrin e Integrimeve Evropiane, Gëzim Kasapolli, Kryetarin e komunës së Pejës, Ali Berisha, Kryetarin e Komunës së Istogut, Haki Rugova, Kryetarin e Komunës së Graçanicës, Bojan Stojanović dhe Kryetarin e Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa.
Udhërrëyesi për vizat ishte diskutuar së fundmi edhe në nismën e Dialogut të Strukturuar për Sundim të Ligjit me Kosovën nga ana e Komisionerit për Zgjerim, tefan Füle dhe Komisionerja Malmström me përfaqësuesit kosovarë më 30 maj në Bruksel.
Sot, Komisioni Evropian dhe Qeveria e Kosovës, po ashtu, mbajtën një takim të nivelit të lartë, për të diskutuar mbi hapat e ardhshëm të dialogut për vizat me Kosovën. Tani nga Qeveria pritet që të paraqesë një përmbledhje gjithëpërfshirëse të legjislacionit dhe reformave të fundit, në fushat të cilat i mbulon udhërrëfyesi i vizave.
Komisioni Evropian do të vazhdojë të mbikqyrë përparimin nga ana e Kosovës në implementimin e detyrave që dalin nga udhërrëfyesi, përfshirë edhe hartimin e raporteve të rregullta.