Kohl: Kriza zbulon nevojën për më shumë Evropë
Berlin, 29 shkurt - Ish-kancelari gjerman, Helmut Kohl theksoi se kriza aktuale duhet të konsiderohet si një ''mundësi'' dhe ajo zbulon nevojën për më shumë dhe jo më pak Evropë, në një artikull të publikuar në të përditshmen ''Bild''.
"Ne duhet ta servirim krizën si një mundësi. Ne kemi nevojë, pikërisht tani, për më shumë dhe jo më pak Evropë'', konfirmoi ish-kancelari 81-vjeçar, për të përditshmen më të lexuar gjermane.
"Evropa është e ardhmja jonë dhe nuk ka alternativa në Evropë. Ne kemi të gjitha arsyet për të qënë optimist, pasi Evropa do të dalë më e fortë nga kriza aktuale. Ne nuk duhet ta lejojmë të tronditet'', nënvizoi ai.
"E ardhmja nuk iu përket skeptikëve, por atyre që shkojnë përpara me një objektiv të qartë para syve. Diskutimet aktuale në Evropë dhe situata e krizës që po përballet Greqia nuk duhet të na çojnë në humbjen e pikëpamjes objektive të bashkimit të Evropës, për të dyshuar dhe për të bërë hapa prapa'', shtoi Helmut Kohl.
"Rruga drejt Evropës ka qënë shpesh e vështirë (...) por edhe kjo gjithashtu bën pjesë në historinë e Evropës dhe në të ardhmen kjo nuk do të ndryshojë në mënyrë themelore'', theksoi ish-kancelari gjerman.
Kjo intervistë nga Kohl, i cili shprehet rrallë publikisht, u bë ndërkohë që kundërshtimet kundrejt planeve të shpëtimit për Greqinë kanë qënë më të mëdha në Gjermani.