Knaus: Kosova s`ka arsye për të festuar, ka ende shumë punë
Bruksel, 1 mars - Kosova ende nuk ka arsye për të festuar, sepse studimi i fizibilitetit nuk nënkupton marrëdhënie kontraktuale me BE-në.
Kështu është shprehur drejtori i Iniciativës Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus në një intervistë për Express duke shtuar se vetoja për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit mund të vijë nga secili shtet anëtar.
Kosova ka miq në Evropë, por diplomacia kosovare nuk guxon ta marrë këtë si të mirëqenë, por duhet të punojë shumë për t`i mbajtur këto shtete të interesuara rreth Kosovës. Bashkimi Evropian i hapi rrugën Komisionit Evropian që të publikojë studimin e fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën, por rrugëtimi i Kosovës drejt këtij qëllimi nuk është aq i lehtë sa u paraqit nga Qeveria, pas marrëveshjes për bashkëpunim rajonal ka shtuar Knaus.
Sipas tij, rrugëtimi i Kosovës sapo ka filluar, dhe pengesat mund të vijnë nga shumë drejtime, duke pasur parasysh se Kosova ende nuk ka nënshkruar marrëdhënie kontraktuale me BE-në dhe ende nuk njihet nga pesë shtete anëtare të BE-së.
Knaus thotë se fillimi i një studimi të fizibilitetit për Marrëveshje të Stabilizim-Asociimit me Kosovën nuk nënkupton marrëdhënie kontraktuale. Dhe, nëse ky studim fizibiliteti nuk çon deri te nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim, atëherë kjo nuk ndryshon asgjë.