07 Maj 2024

Klif: Raporti i Progresit, shembull i realitetit në Kosovë

Prishtinë, 13 tetor - Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jan Klif, ka theksuar se vendi i tij inkurajon Qeverinë e Kosovës që ta studiojë Raportin e Progresit me shumë kujdes dhe të fokusohet në fushat ku ka nevojë për reforma të mëtutjeshme.

Ai këto komente i bëri të enjten gjatë ligjëratës në Universiteti Amerikan në Kosovë (AUK) me temën “Kosova drejt proceseve të integrimit evropian”, me ç’rast ka thënë se Raporti i Progresit është një shembull i realitetit në Kosovë, por sipas tij i mbetet Qeverisë së Kosovës që të studiojë këtë raport dhe të përmbushë ato pika që kërkohen nga Komisioni Evropian.

“Mendoj se Raporti i Progresit për Kosovën është një shembull i realitetit në Kosovë. Unë këtu jam vetëm qe disa muaj, por njerëzit më kanë thënë që është më i detajishëm se raportet paraprake. Britania inkurajon Qeverinë e Kosovës që ta studiojë këtë raport me shumë kujdes dhe të fokusohet në fushat ku ka nevojë për reforma të mëtutjeshme.\"

\"Ne e mirëpresim pjesën më të veçantë, ku Komisioni vendos për nisjen e dialogut për vizat në fund të këtij viti. E duhemi të jemi të kujdesshëm me këtë, sepse ky dialog ka të bëjë vetëm me vendet e zonës Shengen, jo edhe për ne në Britani të Madhe”, ka thënë Klif.

Ambasadori britanik ka mirëpritur vendosjen e kushteve për Serbinë nga ana e Komisionit Evropian që bisedimet për anëtarësim të fillojnë vetëm pasi të ketë normalizuar raportet me Kosovën. Ndërsa, sa i përket gjendjes në veri, ku serbët e rebeluar kanë bllokuar rrugët me barrikada, Klif ka ritheksuar edhe një herë qëndrimin e Londrës zyrtare kundër ndarjes së Kosovës.

“Mendoj se qeveritë britanike dhe gjermane e kanë bërë shumë të qartë autoriteteve në Beograd se ne përkrahim integritetin territorial të Kosovës dhe nuk do të flitet për ndarje. Ndarja nuk është në agjendë, kjo nuk sjell zgjidhje në interes të Kosovës dhe do të ishte e dëmshme për vendet si Bosnja dhe Hercegovina, dhe Maqedonia”, ka deklaruar ai.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)