Kirby: Kosova duhet të jetë anëtar i OKB-së
Beograd, 3 maj - Shtetet e Bashkuara të Amerikës e njohin pavarësinë e Kosovës dhe e konsiderojnë atë një shtet të pavarur që duhet të jetë anëtar i OKB-së, tha Michael Kirby, ambasador amerikan në Beograd.
Në një intervistë për javoren beogradase NIN, ai tha se marrëveshja e arritur në Bruksel është rezultat i kompromisit historik që kanë bërë të dy palët negociuese dhe në të njëjtën kohë shprehi optimizëm se çdo pikë do të zbatohet.
\"Ju nuk e njihni pavarësinë e Kosovës dhe mendoni se shteti që nuk është i pavarur nuk duhet të ketë një vend në OKB, tha Kirby për kontradiktat mes Washingtonit dhe Beogradit mbi çështjen e Kosovës në OKB.
Duke folur për marrëveshjen e Brukselit, Kirby tha se ajo ofron garanci për serbët në lidhje me arsimin, kulturën, gjyqet në gjuhën serbe, policinë ku do të punojnë njerëzit e njëjtë që kanë punuar deri tani.
\"Jam optimist dhe shpresoj se marrëveshja do të funksionojë. Ka disa gjëra praktike ku duhet përpunuar, si policia. Aktualisht, siç di unë, shumë policë kanë rroga të dyfishta: një nga Prishtina e një nga Beogradi.
A do të jenë të lumtur me vetëm një rrogë? Nuk e di për ju, por nëse mua më zvogëlohet rroga, do të isha i pakënaqur. Ndoshta disa do të vendosin të transferohen në stacionin tjetër policor në Serbi.
Po ashtu, momentalisht nuk ekziston asnjë mekanizëm për mbledhjen e taksave, asgjë nuk shkon në buxhet sipas ligjit, askush nuk paguan asgjë.
Kur njerëzit fillojnë të paguajnë për diçka që deri tani nuk kanë bërë, do të jenë të pakënaqur. Disa e shfrytëzuan situatën.
Ata që kanë kamionë kanë kaluar kufirin disa herë, apo ndoshta vetëm letrat tri-katër herë, ndërsa kamionët rrinin në një vend. Kjo më nuk do të ndodhë, ka thënë Kirby.
Ambasadori amerikan tha se edhe pse SHBA-të nuk ishin në tavolinën e bisedimeve, ishin të përfshira në negociata.
\"Mund t\'ju kujtoj se Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, mbërriti në Beograd me zonjën Ashton. Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit, Philip Reeker në tetë raundet e para nuk ishte në tavolinë, por vëzhgonte prapa kuintave.
Unë kam biseduar me përfaqësuesit e pushtetit në Beograd, ndërsa kolegia ime në Prishtinë me përfaqësuesit e Kosovës\", tha Kirby. Qëllimi kryesor i SHBA-ve në Ballkan, thotë Kirby, është paqja dhe stabiliteti që mund të arrihen vetëm me negociata.
\"Kur Kosova e shpalli pavarësinë, ne e kemi mbështetur. Në të njëjtën kohë, kemi kërkuar paqe këtu, e kjo do të thotë që palët të ulet e të bisedojnë, që për herë të parë seriozisht të bisedojnë. Serbisë i kemi thënë se nuk do të detyrohet të pajtohet me pavarësinë e Kosovës, por të normalizojë raportet.
Kjo është ajo që përmban dokumenti. Kosova ka kërkuar të njihet si e pavarur nga Serbia, dhe nuk e morën atë që deshën, tha Michael Kirby, ambasadori i SHBA-ve në Serbi.