Khodorkovsky bashkohet me të birin

Berlin, 22 dhjetor - Ish-bosi rus i naftës, Mikhail Khodorkovsky është bashkuar me të birin pas lirimit një ditë më parë nga burgu. Një zëdhënëse e zotit Khodorkovsky konfirmoi bashkimin pasi ish-pronari i Yukos kaloi natën e parë të lirisë në një hotel në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin.
Ata tani janë së bashku në Berlin, ka saktësuar Olga Pispanen, e cila ka shtuar se edhe prindërit e Mikhail do të udhëtojnë për atje.
Prindërit e tij, Marina dhe Boris janë gati të nisen nga Moska për në Berlin për ta përqafuar atë, ka vijuar zëdhënësja.
Djali i madh i Khodorkovsky, Pavel, u nis nga Shtetet e Bashkuara, ku jeton, për në Gjermani menjëherë pasi mësoi lajmin për lirimin e të atit pas një dekade burgim.
Ish-miliarderi rus la burgun ku vuante dënimin, në rajonin veri-perëndimor të Karelias, pranë kufirit me Finlandën, rreth mesditës së të premtes. Presidenti rus Vladimir Putin i habiti të gjithë këtë javë kur njoftoi faljen e tij.
Bosi i Yukos, dikur njeriu më i pasur i Rusisë, kishte qenë një kritik i fortë i zotit Putin dhe përdori pasurinë e tij për të financuar partitë opozitare.
Pas lirimit, atij iu dha një pasaportë dhe dokumentet e duhura për të fluturuar nga Shën Pietërburgu në Berlin.
I dënuar për evazion fiskal dhe vjedhie, Khodorkovsky ka qenë në burg që prej vitit 2003 dhe do të lirohej gushtin e ardhshëm