26 Dhjetor 2024

Khan feston lirimin nga arresti me kusht

New York, 4 korrik - Ish-shefi i FMN-së e ka festuar mbrëmjen e lirimit nga kushtet e arrestit të shtëpisë me një darkë të shtrenjtë në një nga restorantet më luksozë të New Yorkut.

Sigurisht, bëhet fjalë për një darkë me bashkëshorten, e cila i ka qëndruar pranë gjatë gjithë kohës së vështirë të muajit të fundit kur ai u përball me akuza të rënda.

Kushtet e arrestit të shtëpisë ranë dy ditë më parë, pas zbulimit se gruaja që e akuzoi atë për përdhunim në një dhomë të një hoteli njujorkez ka gënjyer në lidhje me pretendimin e mëparshëm për përdhunim.

Që kur u arrestua në 14 maj, Khan ka kaluar një natë në stacionin e policisë, katër net në burg dhe pjesën tjetër në një apartament në Nju Jork, pas pagesës së shumës së madhe të parave që i bëri e shoqja, e cila u zhvendos me të.

Ndërkohë, lirimi i Khan u ka ndezur shpresat edhe socialistëve francezë. Shumica e tyre janë të entuziazmuar. Kahn prapë me shanse për president në 2012? Jacques Langlade, i cili gjithmonë ëndërron për kohën e bukur të bashkëpunimit me Kahn u shpreh pas vendimit të gjykatës në New York për lirimin e Strauss-Kahnit nga arresti shtëpiak:

\"Tani e shohim se viktima e supozuar nuk është edhe aq e pafajshme. Shpresojmë që Dominique Strauss-Kahn të lirohet nga akuza dhe të rehabilitohet\".

Michele Sabban, mikeshë e familjes Kahn dhe zëvendëskryetare e parlamentit rajonal Ile dë France vlerësoi se Dominique dhe Anne kanë fituar një etapë të rëndësishme. \"Mund ta shihje në fytyrat e tyre kur ata u larguan nga salla. Tani duhet të angazhohemi më shumë për të\".

Sabban, por edhe socialistë të tjerë janë të entuziazmuar nga ideja që Dominique Strauss-Kahn të ketë mundësinë të kandidojë për president. Madje, edhe ish-kryetari i Partisë Socialiste franceze, François Hollande është shprehur se asgjë nuk mund ta ndalojë Strauss Kahnin të kandidojë në zgjedhjet e tetorit.

Indirekt ai foli për një zgjatje të afatit të regjistrimit të kandidaturës presidenciale, që skadon më 13 korrik. Radiot dhe televizionet në Francë i ndryshuan programet e tyre: martesa princërore në Monako është tashmë vetëm një lajm, në qendër është kthesa spektakolare në çështjen Dominique Strauss-Kahn.

Jean-Louis Borloo, një konservator jashtë rrymës, për kohë të gjatë ministër, mendon përtej këtij hapi dhe pyet: \"Çfarë e pengon Strauss Kahn që të rikthehet në politikën e brendshme? Nëse ka forcë të mjaftueshme dhe dëshirë. Mua vazhdimisht më habiste qëndrimi se Strauss-Kahn ishte kartë e djegur. Ai ka dhënë vetëm dorëheqjen nga posti i shefit të FMN-së. Anëtarësia e tij në Partinë Socialiste me sa di unë vazhdon“.

Thënë qartë: Strauss-Kahn mund të kandidojë edhe për zgjedhjet presidenciale vitin e ardhshëm në Francë. Gazeta \"New York Times\" kishte botuar më parë informacione, sipas të cilave punëtorja e hotelit e cila e akuzonte Strauss-Kahnin për tentativë përdhunimi, ka gënjyer në shumë pika.

Për shumë francezë, një sinjal se akuza kundër Strauss-Kahnit do të rrëzohej: \"Unë nuk kam besuar kurrë se akuza ka pasur ndonjë bazë, kam qenë gjithnjë i mendimit se ai është i pafajshëm. Unë mendoj se ai është ende në kohë të kandidojë për presidencën\", - thotë një burrë nga Sarcelles, ku Strauss-Kahn ka qenë vite me radhë kryetar bashkie.

Socialistët duan të përzgjedhin kandidatët e tyre për president në një votim në tetor. Për këtë votim kandidatët duhet të regjistroheshin zyrtarisht deri në 13 korrik. Kryetarja e partisë, Martine Aubry e ka bërë këtë pak ditë më parë. Sa kohë Strauss-Kahn ishte jashtë skene, ajo kishte shanse të mira të fitonte në votimin për kandidatin socialist për presidencën.

Por nëse Strauss-Kahni shumë popullor rikthehet në skenën politike, atëherë punët mund të vështirësoheshin për Aubry. Ajo u shpreh e rezervuar lidhur me kthesën e papritur në çështjen Strauss-Kahn:

\"Lajmet e publikuara nga shtypi amerikan më mbushin me gëzim. Shpresoj me gjithë zemër që drejtësia amerikane të gjejë gjithë të vërtetën, që kjo ëndërr e keqe të marrë fund sa më shpejt për Strauss-Kahn\". Lidhur me të ardhmen politike të shokut të partisë, ajo nuk tha asnjë fjalë.

Këtë e bëri një tjetër socialist, ish-kryeministri Lionel Jospin. Ai zbuti shpresat e rilindura në radhët e mbështetësve të Strauss-Kahnit për një rikthim të tij në politikë: \"Natyrisht kjo është një kthesë e pabesueshme. Por edhe nëse akuzat kundër tij rrëzohen, ai mbetet figurë e përfolur nga mediat\".

 E vërtetë është që pas skandalit në New York u bënë publike hollësi nga jeta private e Strauss-Kahn, të cilat e kanë dëmtuar përgjithnjë imazhin e tij në publik. Nëse imazhi i tij mund të vihet sërish në vend pas rrëzimit të akuzave, mbetet të shihet.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)