Këshilli i Sigurimit të martën debaton për Kosovën
New York, 3 korrik - Këshilli i Sigurimit i OKB-së të martën debaton për Kosovën. Nga ana tjetër, zyrtarët e BE-së e dënuan sulmin.
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka kërkuar një sesion të jashtëzakonshëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të diskutuar për tensionet në rajon.
Serbia edhe njëherë po ballafaqohet me sfida të mëdha në Kosovë. Qytetarët tanë në Kosovë janë sulmuar, tha Tadiq.
Ambasadori i Nigerisë në Kombet e Bashkuara, Joy Ogwu, që është kryesues i KS-së për këtë muaj, tha se Këshilli i Sigurimit do të njoftohet për incidentin, të martën më 6 korrik, dhe se në të do të jetë i pranishëm Boris Tadiq.
Nga ana tjetër, zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian, Herman Van Rompoy dhe Ketrin Eshton, e kanë dënuar sulmin dhe kanë shprehur shqetësim për incidentin tragjik dhe krejtësisht të panevojshëm në pjesën veriore të Mitrovicës.
Presidenti i Bashkimit Evropian, Van Rompoy, ka kërkuar kthimin e menjëhershme të paqes dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të sillen me përgjegjësi.
Shefja e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Ketrin Eshton, i ka bërë thirrje policisë së Kosovës, që me mbështetjen e EULEX-it, ta hetojë këtë incident dhe të sigurojë që kryerësit të nxirren para drejtësisë.
Ky mesazh i zonjës Eshton u është dërguar autoriteteve të Kosovës, thuhet në deklaratën e një zëdhënësi të saj.