Këshilli i Sigurimit sot mban seancen për Kosovën
New York, 12 nëntor - Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuar në një senacë që do të mbahet sot pasdite në New York, do të shqyrtojë raportin e radhës për zhvillimet në Kosovë të Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, që përfshin periudhën e kaluar tremujore e që ka të bashkangjitur edhe aneksin mbi punën e EULEX-it.
Kryesuese e radhës për këtë muaj është Britania e Madhe, apo si njihet me emrin zyrtar këtu Mbretëria e Bashkuar, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit dhe një nga mbështetset kyçe të Kosovës në organin ekzekutiv të OKB-së.
Shefi i organizatës botërore në raportin e fundit ka përshëndetur gatishmërinë e Bashkmit Evropian për të ndihmuar dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit duke shpresuar se kjo do të konsolidojë më tej paqen dhe stabilitetin, si në Kosovë ashtu edhe më gjerë në rajon.
Në raport Ban nënvizon se qëndrueshmëria afatgjate dhe zhvillimi i Kosovës dhe rajonit lidhet me një proces të suksesshëm pajtimi në mes bashkësive, ndërsa ka shfaqur shqetësimin mbi tensionet në veri pas dhënies së mendimit rreth statusit të pavarur të Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
Në këtë seancë Kosovën pritet ta përfaqësojë zvëvendësministrja e Jashtme, Vlora Çitaku, që do të jetë edhe paraqitja e saj e parë në odën e madhe të diplomacisë botërore.