Këshilli i Sigurimit sot diskuton për situatën në Kosovë
New York, 14 maj - Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara sot mblidhet për të diskutuar zhvillimet në Kosovë në kuadër të debateve tre muajshe që mbështeten në raportin e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki-mun.
Shefi i OKB-së, Ban Ki-moon thotë se rrestimet e pajustifikuara, pasiviteti ndaj jotolerancës, retorika luftëdashëse, pashmangshëm çojnë në tensione të mëtejshme dhe në dhunë.
Unë shpresoj se rrjedha pozitive e dialogut, përparimi drejtë integrimeve evropiane dhe normalizimi i raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit do të vazhdojnë të forcohen dhe se tensionet dhe konfliktet të reduktohen gradualisht, ka theksuar Ban në një raportin që mbulon periudhën nga prej 16 janarit deri më 15 prill.
Çështja e zgjedhjeve serbe tërhoqi vëmendjen, siç thuhet, ndaj çështjeve të e pazgjidhura dhe tensioneve për shkak të pikëpamjeve të ndryshme të palëve rreth mbajtjes së tyre në Kosovë.
Ban u shpreh i kënaqur që qeveria në Beograd është konsultuar me UNMIK-un për të mbajtur zgjedhjet lokale në Kosovë dhe që ka përfillur këshillat e misionit, duke theksuar se mosmarrëveshje për çështje të tilla të rëndësishme mund të zgjidhen vetëm me mjete paqësore e jo me dhunë apo përdorim të forcës.
Hapësira për dialog në muajt e ardhshëm mund të ngushtohet në qoftë se nuk ruhet paqja dhe nëse përgjigjet e publikut për incidentet dhe provokimet janë të pamatura. Arrestimet e pajustifikuara, pasiviteti ndaj jo tolerancës dhe retorika luftëdashëse pashmangshmërisht çojnë në tensione të mëtejshme dhe në dhunë, ka theksuar Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së.
Ai ka ftuar liderët e të dy palëve që me fjalë dhe vepra të dëshmojnë lidershipin në mënyrën që redukton tensionet dhe promovon atmosferën e favorshme për dialog.
Raporti i cili përfshinë periudhën nga 16 janari deri në mesin e prillit vlerëson se marrëveshjet e arritura në bisedimet Prishtinë Beograd me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian kanë shënuar një përparim që i mundësoi Bashkimit Evropian ti jap Serbisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim, ndërsa Kosova studimin e fizibilitetit për Marrëveshjen për Stabilizim Asocim.
Në raport thuhet se kjo shënon zhvillimin më pozitiv në periudhën që përfshinë raporti. Mirëpo, aty tërhiqet vërejtja se këto zhvillime kanë rënë nën hijen e tensioneve në rritje në terren gjatë pjesës së fundit të periudhës raportuese, për shkak të përgatitjeve për zgjedhjet serbe më 6 maj.
Raporti përfshinë dhe dallimet në qasjen ndaj këtyre zgjedhjeve jo vetëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit por edhe të vetë pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë.
Derisa serbët që marrin pjesë në institucionet e Kosovës e kanë hedhur poshtë nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale të Serbisë në Kosovë, shumë të tjerë, posaçërisht ata në veri të Kosovë kanë kërkuar që ato të mbahen në harmoni të plotë me ligjet e Serbisë, thuhet në raportin e sekretarit të Përgjithshëm në të cilin vihet në spikamë fakti se Misioni i Kombeve të Bashkuara ishte marrë vesh me autoritetet serbe që zgjedhjet lokale të mos mbahen në Kosovë, sepse binin ndesh me Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Mospajtimet rreth zgjedhjeve serbe u tejkaluan me angazhimin e Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, e cila organizoi dhe mbikëqyri zgjedhjet presidenciale e parlamentare të Serbisë në Kosovë me pajtimin e Prishtinës zyrtare, meqë parimi i dyshtetësisë serbëve të Kosovës u garantohet edhe me Kushtetutën e Kosovës. Njësoj kjo organizatë do të mbështesë edhe raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale serbe që do të mbahen më 20 maj.
Në veriun e Kosovës, përfaqësuesit serb sfiduan qëndrimet e Prishtinës, Beogradit dhe komunitetit ndërkombëtarë duke organizuar zgjedhjet lokale në dy komuna, pavarësisht pohimeve se as Beogradi nuk do të njohe rezultatin e tyre.
Nderkaq Ministri i Punëve të Jashtëm i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj do ti drejtohet Këshillit të Sigurimit me një fjalim, ku do të paraqes progresin e vazhdueshëm që po shënohet në Republikën e Kosovës dhe për sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova në këtë fazë.
Hoxhaj do të njoftojë anëtarët e KS të OKB-së, për fuqizimin e vazhdueshëm të shtetësisë së Kosovës, progresin e brendshëm institucional, shoqëror e ekonomik, si dhe për forcimin e mëtutjeshëm të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.
Ministri i Jashtëm i Kosovës do të flasë edhe për gjendjen në veri të Republikës së Kosovës, për zhvillimet e fundit dhe për vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës, që në bashkëpunim të ngushtë me faktorin ndërkombëtar, të vendosë sundimin e rendit dhe ligjit në këtë pjesë të territorit.
Hoxhaj do të raportojë edhe për dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe moszbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani, nga pala serbe.
Ministri Hoxhaj, para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, do të paraqesë edhe angazhimin e fuqishëm institucional dhe shoqëror të Kosovës në avancimin sa më të shpejtë në rrugën integruese evropiane.