Këshilli i Sigurimit miraton rezolutën për Sirinë
New York, 28 shtator - Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka votuar unanimisht në favor të rezolutës, e cila kërkon nga Siria që të eliminojë armët e saj kimike.
Dokumenti bën thirrje për pasoja nëse Siria nuk vepron në përputhje me të, por pasojat do të varen nga një tjetër rezolutë që mund të miratojë Këshilli.
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka thënë se vota ka treguar se diplomacia është mjaft e fuqishme për të çaktivizuar armët më të këqija të luftës.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se Këshilli i Sigurimit është i gatshëm të mbështesë masa ndëshkuese nëse dëshmohet se ndonjëra palë shkel kushtet e rezolutës.
Votimi në orët e para të së shtunës u ka dhënë fund javëve të diplomacisë midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.
Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është bazuar në një marrëveshje midis dy vendeve, për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë. Marrëveshja ka pasuar sulmin e 21 gushtit me agjent sarin në periferi të Damaskut, i cili ka vrarë qindra persona.