Këshilli i Sigurimit më 17 maj mban seancë për Kosovën
Prishtinë, 5 maj - Këshilli i Sigurimit në një seancë që do të mbahet më 17 maj, do të shqyrtojë raportin e radhës për zhvillimet në Kosovë të Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, që përfshin periudhën e zhvillimeve 15 dhjetor -15 mars.
Raporti ka të bashkangjitur edhe aneksin mbi punën e EULEX-it.
Data 17 maj u njoftua nga Libani, anëtar me mandat dyvjeçar rotativ dhe kryesues i radhës për këtë muaj i Këshillit. Agjenda e takimeve që përfshin edhe seancën për Kosovën, tashmë është miratuar nga Këshilli i Sigurimit.
Shefi i organizatës botërore edhe në këtë raport ashtu si dhe në të tjerët gjatë vitit të fundit, bën një përshkrim të zhvillimeve në tremujorin e fundit dhe u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të të bisedojnë për çështje praktike të bashkëpunimit rajonal.
Në raport Ban nënvizon se qëndrueshmëria afatgjate dhe zhvillimi i Kosovës dhe rajonit lidhet me një proces të suksesshëm pajtimi në mes bashkësive, ndërsa ka shfaqur shqetësimin mbi mundësinë e rritjes së tensioneve në veri.
Edhe në këtë seancë Kosovën pritet ta përfaqësojë shefi i diplomacisë kosovare, Skënder Hyseni.
/rtk/