Këshilli i Sigurimit ashpërson sanksionet ndaj Koresë së Veriut
New York, 1 dhjetor - Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi njëzëri një rezolutë për ashpërsimin e sanksioneve ndaj Koresë së Veriut, si përgjigje ndaj provës së pestë bërthamore të Penianit.
Sipas kësaj rezolute, të quajtur Rezoluta 2321, këshilli 15-anëtarësh vendosi kufizimin e eksportit të qymyrgurit dhe të hekurit nga Koreja e Veriut, por përjashtoi transaksionet për qëllime të jetesës.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon mori pjesë në takimin e Këshillit dhe nënvizoi se rezoluta e re \"përcjell një mesazh të qartë\", që Koreja e Veriut duhet të ndërpresë veprimet provokuese dhe të përmbushë plotësisht detyrimet e saj ndërkombëtare.
\"Koreja e Veriut duhet ta ndryshojë kursin e lëvizjes drejt rrugës së denuklearizimit përmes dialogut të sinqertë. I ribëj thirrje Penianit të marrë hapat e duhura për uljen e tensionit në rajon.\"
Rezoluta e re kufizon eksportet e qymyrgurit nga Koreja e Veriut, duke theksuar se vëllimi i përgjithshëm i eksporteve mos ta kalojë shifrën e 400.9 milionë dollarëve amerikanë ose 7.5 milionë tonë në vit, prej janarit 2017. Për më tepër, rezoluta ka ndaluar eksportin e bakrit, nikelit, argjendit, zinkut dhe të statujave nga Koreja e veriut.