Kerry i uron Hoxhajn për festën e Bajramit
Prishtinë, 6 gusht - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, me rastin e festimit të Bajramit të Madh, ka marrë një telegram urimi nga Sekretari Amerikan i Shtetit i SHBA-ve, John F. Kerry.
Në telegram, Sekretari Kerry, duke iu referuar përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, i uron myslimanëve festim në paqe dhe të gëzueshëm të Bajramit.
Sekretari Kerry po ashtu thekson se me qëllim që të nderojnë këtë periudhë, shumë bashkëkombës të tij amerikanë, do tiu bashkohen myslimanëve në mbarë botën, në festimet e Bajramit, sipas traditave të tyre të pasura dhe diverse.
Kur ata festojnë vlerat e familjes, bamirësisë dhe komunitetit, ne përkujtojmë vlerat e përbashkëta që na sjellin së bashku, shkruan Sekretari Kerry.
Ai po ashtu thotë se pasi që ka kaluar një pjesë të madhe të jetës së tij duke vizituar dhe punuar me komunitetet myslimane anekënd botës, ka parë se sfidat që ndodhen përpara njerëzve ose kombeve të ndryshme nuk mund të pengojnë fuqinë e shpirtit njerëzor që mundëson tejkalimin e atyre sfidave.
Si Sekretar i Shtetit, kam pasur nderin që të shtrojë një iftar gjatë Ramazanit. Ai i ka mundësuar atyre që kanë marrë pjesë një rast tjetër për të eksploruar të përbashkëtat tona dhe që të forcojnë më tutje urat e mirëkuptimit, thekson Sekretari Kerry, në telegramin dërguar Ministrit Hoxhaj.
Sekretari Kerry në fund shpreh vullnetin e tij për bashkëpunim me Ministrin Hoxhaj, duke i uruar atij dhe popullit të Kosovës festën e Bajramit.