Kërkohet që liberalizimi i vizave për Kosovën të kryhet sa më parë
Prishtinë, 18 maj - Delegacioni i Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i përbërë nga Saranda Bogujevci, kryesuese dhe Arben Gashi, anëtar, ka marrë pjesë në punimet e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që u mbajtën në Kretë (Chania), të Greqisë, më 16 dhe 17 maj.
Punimet e këtij Komisioni janë mbajtur në Kretë (Chania), me ftesën e kryetares së delegacionit të Parlamentit të Greqisë, Theodora Bakoyannis, e cila është edhe raportere për Kosovën.
Delegacioni i Kuvendit të Kosovës në APKE, ka takuar Theodora Bakoyannis, raportere e zgjedhur për Kosovën në mars të këtij viti, me të cilën kanë diskutuar për situatën në Kosovë, dhe për gatishmerinë e Kosovës që të bashkëpunojnë ngushtë për përgatitjen e raportit për “Situatën në Kosovë”.
Gjithashtu, Bogujevci e Gashi kanë takuar edhe Tiny Kox, president i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, me të cilin kanë diskutuar rreth rethanave të reja të krijuara pas aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim, dhe rreth përkushtimit të Kosovës në përmbushjen e vlerave dhe standardeve mbi të cilat funksionon kjo organizatë.
Në ditën e parë të punimeve, ndër të tjera është diskutuar për raportin e ish-kryeministrit grek, George Papandreou me temën “Mbështetja e Perspektivës Evopiane për Vendet e Ballkanit Perëndimor”.
Në disa pika të këtij raporti, përfshihet edhe Kosova, në të cilin potencohen të arriturat që janë bërë në përmbushjen e të gjitha kritereve për liberalizimin e vizave, si dhe arritjet që janë bërë në funksionimin e institucioneve demokratike, lirinë e të shprehurit, lirinë e mediave dhe pluralizmin, si dhe në funksionimin e mirë të administratës publike.
Gjithashtu në këtë raport, Papandreou ka theksuar nevojën për liberalizimin e vizave për Kosovën, dhe rolin e rëndësishëm të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në këtë proces, pasi që metodologjia e rishikuar e zgjerimit e vë theksin e qartë në tri shtylla kyçe: demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut.
Për këtë raport, përveç folësve të tjerë, kanë folur edhe anëtarët e delegacionit të Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci dhe Arben Gashi.
Duke iu referuar këtij raporti, udhëheqësi i delegacionit të Republikës së Turqisë në APKE, Ahmet Yildiz, gjatë fjalimit të tij ka kërkuar nga vendet jo njohëse të Republikës së Kosovës që ta njohin Kosovën, dhe që çështja e liberalizimit të vizave të kryhet sa më parë, duke pasur parasysh përmbushjen e të gjitha kushteve të vendosura nga Komisioni Evropian.
Në fjalën e tij, udhëheqësi i delegacionit të Kuvendit të Serbisë në Këshillin e Evropës, Ivica Daçiq, e ka kontestuar pavarësinë e Kosovës, duke bërë përpjekje ta luan rolin e viktimës në Kosovë.
Ai, po ashtu ka reaguar edhe në lidhje me aplikimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, duke përmendur edhe marrëveshjen e Washingtonit, të cilën sipas tij, e ka shkelur Kosova.
Gjatë fjalimit të tij, anëtari i delegacionit të Kuvendit të Kosovë, Arben Gashi, ka thënë se Gjykata Ndërkombëtare ka vendosur se pavarësia e Kosovës është në akordim me ligjet ndërkombëtare, dhe si e tillë është vlerësuar si “Sui generis”.
“Kosova është njohur nga 34 shtete anëtare të Këshillit të Evropës si shtet i pavarur. Gjithashtu dëgjova disa gjysmë të vërteta që Kosova ka nënshkruar marrëveshje për ndërprerjen e aplikimeve në organizatat ndërkombëtare. Por, ka kaluar një vit dhe kjo marrëveshje ka skaduar në shtator të vitit 2021, dhe tani ne jemi në kohë, prandaj edhe kemi aplikuar për anëtarësi në Këshillin e Evropës dhe presim mbështetjen tuaj”, ka thënë Gashi, i cili ka kërkuar nga Papandreu që liberalizimi i vizave për Kosovën dhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës të përfshihen në raportin e tij.
Ai, ka përmendur nevojën që qytetarët e Kosovës të kenë qasje në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut, duke shtuar se për këtë Kosova ka nevojë të jetë anëtare e Këshillit të Evropës.
Gashi, ka përgëzuar Bakoyannis për raportin e saj të titulluar “Nevoja për multilaterizëm të rinovuar, efektiv dhe gjithëpërfshirës”, si dhe Papandreoun për raportin e tij rreth “Mbështetjes së perspektivës evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor”.
Në vazhdim, ka folur kryesuesja e delegacionit, nënkryerja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, e cila gjatë fjalimit të saj, ka thënë se Kosova është shtet i pavarur, dhe është njohur nga shumë shtete si i tillë, dhe tani dëshiron të ecë përpara, të jetë pjesë e organizatave ndërkombëtare.
Bogujevci, ka folur edhe për gjenocidin dhe krimet sebre në Kosovë, duke bërë të ditur se është e mbijetuar e masakrës kur ishte vetëm 13 vjeçare.
Ajo, ka shtuar se në Kosovë tash e 23 vite ka familje që nuk e dinë ku i kanë trupat e më të dashurve të tyre.
Dhe përkundër kësaj, ajo ka thënë se përfaqësuesit e Kosovës ende kanë vullnetin të gjejnë mënyra të zgjidhjes së problemeve që të ecët përpara.
Tutje, Bogujevci ka theksuar e Kosova beson në përkrahjen e përfaqësueve të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, që të jetë pjesë e kësaj organizate.
Po ashtu, edhe Bogujevci ka falënderuar Papandreoun për raportin e tij, duke potencuar gjithashtu se edhe liberalizimi i vizave dhe anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës të përfshihen si pika në raport, siç propozoi kolegu Arben Gashi.
Ndërkaq, në takimin e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci, më 17 maj, njëra ndër pikat e diskutimit ishte edhe marrja e aprovimit nga anëtarët e këtij komisioni dhe vazhdimi i referencës për pikën e agjendës “Situata në Kosovë”, ku u vendos që Bakoyannis të hartojë një raport për situatën në Kosovë gjatë periudhës njëvjeçare.
Gjatë dy ditëve të punimeve të Komisionit për Çështje Politike e Demokraci u diskutuan tema relevante si: Drejtësia dhe siguria për gratë në pajtimet e paqes, Roli i partive politike në nxitjen e diversitetit dhe gjithëpërfshirja, një kartë e re për një shoqëri jo-raciste, Ruajtja e paqes dhe stabilitetit në Detin Mesdhe, Mbështetja e perspektivës evropiane për Ballkanin Perëndimor, si dhe tema të tjera. â