Kërkohet angazhim për zbatimin e marrëveshjes së doganave
Bruksel, 7 nëntor - Në Bruksel është mbajtur takimi i radhës së grupeve punuese për zbatimin e marrëveshjes së doganave ku është biseduar për procesin e zbatimit të kësaj marrëveshje.
Po ashtu pjesë e diskutimit ka qenë edhe përcaktimi i obligimeve sa i përket fillimit të inkasimit të taksave doganore në dy kalimet kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, si edhe është diskutuar edhe për modalitetet e regjistrimit të kompanive që funksionojnë në pjesën veriore të vendit konform ligjeve të Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, në këtë takim palët kanë diskutuar edhe për përgatitjet që janë duke u bërë lidhur me fillimin e punës së Fondit për Zhvillim, fond ky i cili do të jetë instrument konkret për të realizuar investimet e nevojshme socio-ekonomike në pjesën veriore të vendit.
Është kërkuar edhe angazhim i të gjitha palëve për të mos krijuar pengesa të cilat do të ishin në kundërshtim me frymën e kësaj marrëveshje por edhe të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dyja vendeve. Takime të kësaj natyre do të ketë edhe në të ardhmen.
Delegacioni i Kosovës përbëhej nga Bajram Rexha dhe Bekim Mehmetaj nga Dogana e Kosovës, Gazmir Raci, këshilltar politik i Zëvendëskryeministres, Edita Tahiri, Fisnik Rexhepi, këshilltar i ministrit të Punëve të Brendshme si dhe Menderes Ibra, këshilltar politik i ministrit të Financave dhe Visar Xani, këshilltar politik i Zëvendëskryeministres, Edita Tahiri.