23 Dhjetor 2024

Ker-Lindsay: Dialogu Prishtinë-Beograd në pikëpyetje

Londër, 17 janar - Publikimi i raportit të Dik Martit dhe problemet e shfaqura në zgjedhjet parlamentare në Kosovë kanë ngritur pikëpyetje të shumta lidhur me fillimin e dialogut Prishtinë-Beograd.

Studiuesi James Ker-Lindsay, nga Instituti Evropian pranë Universitetit londinez Lese, thotë për BBC-në se dialogu mund të mos fillojë fare. Një muaj pas publikimit të raportit nga Dik Martit, debatet duket sikur janë qetësuar disi.

Më 25 janar, Dik Marti do të paraqesë raportin e tij para deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili do të thotë mendimin e vet për të dhe eventualisht, të propozojë hapjen e hetimeve të plota. Ndërkaq, ekzistojnë edhe zëra se në anën tjetër Parlamenti Evropian do të mund të emëronte një raportues special në lidhje me akuzat për tregti me organe njerëzore në Kosovë.

James Ker-Lindsay i ka thënë BBC-së se gjatë muajve të shkuar ka mbizotëruar qëndrimi se akuzat e Martit janë aq serioze, sa duhet të mbështeten në fakte, përkatësisht në hetime.

Bashkëbiseduesi i BBC-së bën dallimin për mënyrën sesi u reagua ndaj raportit të Martit në SHBA dhe BE, vende të cilat që nga fillimi kanë përsëritur në kor se Kosovës duhet t’i jepet pavarësia.
 
“Ndërkaq, askush nuk ka dashur publikisht të pranojë, se rreziku më i madh për stabilitetin kanë qenë në fakt kërcënimet e shqiptarëve të Kosovës se do t’i kthehen dhunës nëse nuk marrin pavarësinë. Për një kohë të gjatë konsiderohej se Hashim Thaçi është personi me rëndësinë vendimtare për pengimin e një rebelimi të tillë. Tani, ndërkaq, evropianët kanë filluar të përqafojnë qëndrimin se Prishtina duhet të nisë të përmbushë ato standarde në të cilat insistohej para pavarësisë. Interesat amerikane në Kosovë dallohen nga ato evropiane – për evropianët me të vërtetë është e rëndësishme që Kosova të shndërrohet në shtet demokratik që respekton të drejtat njerëzore, ndërsa Uashingtoni edhe më tutje insiston në stabilitetin”, thotë Ker-Lindsay.

Ai thotë se për Serbinë është më së miri të heshtë dhe të lërë Dik Martin dhe instancat e tjera ndërkombëtare që përmes insistimit për hetime rreth akuzave kundër Thaçit, të dobësojë më tutje pozicionin e Kosovës para fillimit të bisedimeve të paralajmëruara Beograd-Prishtinë.

Disponimi ndër evropianë, sipas mendimit të tij, ka ndryshuar dhe kjo do t’i bëjë të mundshme Beogradit që me lehtë të përfitojë koncesione në çështjet siç janë veriu i Kosovës, të drejtat e komunitetit serb dhe statusi i manastireve.

“Që të gjithë ishin përgatitur për fillimin e bisedimeve, me shpresën se këto do të mund të sillnin vullnet pak më të mirë në marrëdhëniet midis Beogradit e Prishtinës, pastaj do të hapeshin, t’i quajmë ashtu, çështjet statusore, dhe jo negociatat për vetë statusin e Kosovës. Me fjalë të tjera, thelbi i negociatave do të ishte çështja se me çfarë çmimi do të ishte Prishtina e gatshme të paguajë që Beogradi të njohë Kosovën, ose së paku t’ua lejojë vendeve të tjera ta njohin. Por, pas raportit të Martit dhe zgjedhjeve problematike në Kosovë, çështje kryesore është se a do të fillojnë, apo nuk do të fillojnë fare bisedimet”, thekson James Ker-Lindsay.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)