KE sot merr vendimet për Ballkanin Perëndimor
Bruksel, 16 prill - Komisioni Europian do të marrë sot vendimet për vendet e Ballkanit Perëndimor që duan të jenë pjesë e Bashkimit Europian (BE).
Për Shqipërinë nuk do të ketë raport, pasi klasa politike shqiptare nuk i plotësoi kushtet e kërkuara nga Bruskeli.
Komisioneri për zgjerim në BE Stefan Fyle do të lexojë sot rekomandimet apo përfundimet për Kroacinë, Turqinë, Bosnjë- Hercegovinën, Maqedoninë, Serbinë dhe Kosovën.
Kroacia do të jetë vendi më i ri anëtar i BE në 1 korrik. Nga ana tjetër Brukseli vazhdon të jetë në pritje që Serbia të ndryshojë mendjen dhe të pranojë propozimin e marrëveshjes që ka dalë si rezultat i tetë raundeve të dialogut mes kryeministrave Thaçi dhe Daçiç.
Nga rezultati i këtyre bisedimeve varet edhe data e negociatave për anëtarësim të Serbisë në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosova do të duhej të merrte datën e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit.
Sa i përket Maqedonisë pritet të vendoset hapja e negociatave për anëtarësim në BE, pavarësisht çështjes së emrit.
Ditë më pare, Komisioni i Punëve të jashtme të Parlamentit Europian ka votuar me 38 vota pro dhe 13 kunder mbi projekt rezolutën për Maqedoninë, ku eurodeputetët europianë shprehen kështu pro hapjes së negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë në BE.
Maqedonia kaloi një tjetër provë, atë të zgjedhjeve demokratike që morrën një vlerësim pozitiv nga ndërkombëtarët.