KE: Kosova ende pjesë e rezolutës 1244

Bruksel, 19 tetor - Kur bëhet fjalë për vazhdimin e integrimeve evropiane, ndaj Serbisë nuk ka as kërkesa të reja dhe as kushte nga ana e Komisionit Evropian. Ka vetëm një prioritet kyç të përcaktuar, e ky është vazhdimi i dialogut me Prishtinën.
Në Komisionin Evropian theksojnë se i referohen Kosovës pa paragjykuar statusin, sipas formulës së Rezolutës 1244.
Kjo do të thotë se Komisioni nuk ka ndonjë qëndrim të veçantë ndaj veriut të Kosovës, thotë Peter Stano, zëdhënës i Komisionerit të BE së për zgjerimin Stefan Fule, për DW, duke shtuar se zgjidhja e përgjithshme duhet të kërkohet në përfshirjen në BE.
Kjo është një nga vlerat themelore të Bashkimit Evropian. Çdo qytetar në çdo shtet kërkon të trajtohet në mënyrë të barabartë. Ai nuk do të ndihet si një qytetar i klasës së dytë, pra të jetë i përjashtuar. Përfshirja dhe trajtimi i barabartë, këto janë vlerat themelore pavarësisht se ku jeton, në Kosovë, në Serbi, në Mal të Zi, në Bosnjë, në Sllovaki, në Austri, apo në Gjermani, tha Stano për Deutshe Welle.
Komisioni Evropian tani pret që të dyja palët ti kthehen dialogut përse dhe me çfarë rezultatesh do të bisedohet është në duart e Beogradit dhe Prishtinës.
Pyetjes në se njohja e Kosovës do të jetë një ditë kusht i domosdoshëm për Serbinë që të hyjë në BE, në zyrën e komisionerit për zgjerimin i përgjigjen se duhet të kapërcejmë në hapa të mëtejshëm dhe të fokusohemi tek ajo që është për momentin në rendin e ditës, dhe ky është kthimi te dialogu dhe përparimi në këto suaza.
Bashkimi Evropian nuk është i gatshëm të marrë brenda një tjetër konflikt të pazgjidhur. Është një detyrim për të dyja palët që të gjejnë një zgjidhje. Ne e dimë që kjo nuk do të jetë e lehtë dhe as shumë e shpejtë. Por besojmë, se me kalimin e kohës se do të gjendet një zgjidhje dhe ne do të jemi gati të ndihmojmë për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për të dyja palët, çka më pas do ti shtyjë ato drejt Bashkimit Evropian, tha Stano.