06 Janar 2025

KE i shqetësuar me hartimin e ligjeve për mediat në Kosovë

Prishtinë, 19 dhjetor - Komisioni Evropian është shumë i shqetësuar për zhvillimet në lidhje me hartimin e dy ligjeve që kanë të bëjnë me lirinë e mediave në Kosovë, projektligjin për transmetimin publik dhe projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media (KPM) nga Kuvendi i Kosovës.

Të dyja projektligjet, që ende ndodhen në Kuvendin e Kosovës nuk janë në pajtim me legjislacionin e BE-së as pas amandamentimeve të fundit.

Komisioni Evropian i ka siguruar Komisionit të Kuvendit për Komisioni për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media ekspertizën e nevojshme për të shqyrtuar të dyja projektligjet, në mënyrë që të sigurojë se ato përmbushin standardet e BE-së. Sidoqoftë, në procesin e amandamentimit të projektligjeve pjesa më e madhe e rekomandimeve të ekspertes së BE-së nuk janë marrë parasysh deri më tani.

Shqetësimet kryesore në lidhje me projektligjin për transmetimin publik kanë të bëjnë me, në mes tjerash, çështjen e pronësisë, mungesën e mekanizmave të kontrollit për mbikëqyrjen e RTK-së, burimet e financimit, kanalin televiziv për komunitetet pakicë si dhe komunikimin komercial.

Raporti i Progresit për vitin 2011 ka theksuar se pavarësia editoriale e transmetuesit publik, RTK-së, nuk është e garantuar për shkak të pasigurisë së vazhdueshme në lidhje me financimin e saj.

Përderisa financimi aktual vetëm përmes buxhetit ka nënvlerësuar në masë të madhe pavarësinë e RTK-së, projektligji për transmetimin publik ende nuk ofron ndonjë zgjidhje të qëndrueshme për financat e transmetuesit.

Mangësitë e projektligjit për KPM-në kanë të bëjnë me mungesën e zbatimit të Direktivës së BE-së për Shërbimet Mediale Audiovizuale në ligjin për KPM-në, në mes tjerash, në pritje të emërimit të anëtarëve të Këshillit të KPM-së dhe inkorporimit të digjitalizimit në ligj. Të gjitha këto i kontribuojnë nënvlerësimit të pavarësisë së KPM-së, të cilës Komisioni Evropian i kushton rëndësinë më të madhe.

Gjatë takimit të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të mbajtur më datën 5 dhjetor, BE-ja ka ritheksuar se në fushën e lirisë së shprehjes në Kosovë ende duhet ndërmarrë veprime madhore.

Përafrimi i legjislacionit me acquis të BE-së është një nga parakushtet për integrimin e Kosovës në BE. Shqetësimet aktuale të BE-së janë shkaktuar pasi që për vite me radhë është tërhequr vëmendja për të adresuar nevojën e financimit të qëndrueshëm të RTK-së  dhe për të ruajtur pavarësinë e KPM-së, si dhe pasi që më herët gjatë këtij viti është kërkuar nga Kuvendi të rishqyrtojë këto dy projektligje. Është shumë e rëndësishme që Kuvendi t\'i shmanget përsëritjes së gabimeve të mëparshme dhe njëherë e përgjithmonë të zgjidhen këto çështje.

Prandaj, BE-ja i bën thirrje Kuvendit të punojë për t\'i kontribuar të ardhmes evropiane për Kosovën duke miratuar legjislacion në përputhje me atë të BE-së.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)