29 Prill 2024

Kandidatja republikane për presidente, Bakman, fiton votimin provë

Uashington, 14 gusht - Në Shtetet e Bashkuara, kandidatja republikane për presidente, Mishel Bakman fitoi vendin e parë në një votim të rëndësishëm provë të zhvilluar në shtetin Ajova, ndërkohë që Guvernatori i Teksasit, Rik Peri, tronditi kampin republikan duke njoftuar hyrjen në garë për të marrë emërimin e kësaj partie.

Fitorja e zonjës Bakman në sondazhin e shtetit Ajova e konsolidon pozitën e saj si konkurrente e fortë për emërimin republikan. Sondazhi në fjalë është një votim jozyrtar por i rëndësishëm për republikanët që kërkojnë të sfidojnë Presidentin Barak Obama në zgjedhjet e vitit 2012.

Bakman, anëtare e Dhomës së Përfaqësuesve nga shteti Minesota, është favorite e aktivistëve konservatorë të quajtur Tea Party, të cilët kërkojnë taksa më të ulëta dhe një qeveri më të vogël.

Pothuajse 17,000 vetë morën pjesë në votimin provë të zhvilluar në qytetin Ejms të Ajovës. Bakman mori 4.823 vota, e pasuar nga kongresmeni i Teksasit, Ron Pol, me 4.671. Ish guvernatori i Minesotës, Tim Polenti zuri vendin e tretë me 2.293 vota.

Peri nuk ishte në listë por ai mori 718 vota, në të cilat votuesit kishin shkruar emrin e tij. Ky numër është 151 vota më shumë se sa ish guvernatori i shtetit Masaçusets, Mit Romni, i cili ishte në krye të anketave para se të zhvillohej votimi në Ajova. Romni nuk mori pjesë në shumë prej aktiviteteve që i paraprinë votimit në Ajova.

Peri shihet si një kandidat i fortë republikan dhe i suksesshëm përsa i përket shtimit të vendeve të punës në Teksas, çka mund të jetë tërheqëse  për konservatorët socialë dhe ekonomikë. Ai është gjithashtu një favorit i lëvizjes Tea Party.

Në një fjalim që mbajti të shtunën, ai kritikoi ashpër politikën ekonomike të zotit Obama dhe argumentoi se amerikanët nuk mund të durojnë një \"udhëheqje pa timon\"për katër vjet të tjera.

Shtëpia e Bardhë u kundërpërgjigj duke kritikuar arritjet ekonomike të zotit Peri si guvernator i Teksasit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)