Kandic: Nuk ka fakte për akuzat ndaj Oliver Ivanovic
Beograd, 16 prill - Natasha Kandic, koordinatorja në Komisionin Rajonal për të gjitha krimet e luftës, e cila deri tani ishte kryetare e Fondit për të Drejtën Humanitare, i ka deklaruar Politikës së Beogradit se nuk ka gjetur fakte që do të konfirmonin pjesëmarrjen e Oliver Ivanovicit në çfarëdo lloj krimi.
Kandic ka arritur në këtë përfundim gjatë hulumtimeve në kuadër të projektit Libri kosovar i kujtesës, që ka për qëllim regjistrimin e të gjitha viktimavecivile, policore dhe ushtarake, që kanë pësuar në Kosovë në fund të viteve të 90-të.
Natasha Kandic shprehet se i ka drejtuar hulumtimet për krimet e kryera në Mitrovicë që mbulojnë periudhën nga janari i vitit 1998 deri më 31 dhjetor të vitit 2000 dhe se ka dëgjuar dëshmitë mbi krimet e kryera të 60-70 personave.
Një dëshmitar më ka deklaruar se Oliver Ivanovic i kishte thënë të ketë kujdes, sepse i ke fëmijët të përfshirë në UÇK, kurse një dëshmitare ka deklaruar se në vitin 2000 në grupin e burrave të maskuar që kishin shkuar te ajo gjoja kishte njohur zërin e Ivanovicit. Por kjo smund të merret si fakt, është shprehur Natasha Kandic, citon \"Politika\".
Nga e njëjta gazetë citohet se Halit Berani, kryetar i KMDLNJ në Mitrovicë, gjatë dëshmisë kundër Sllobodan Miloshevicit në Hagë ka pohuar për pjesëmarrjen e Ivanovic në krimet e luftës në Mitrovicë.
Jashtë kësaj, gjatë kërkimeve në terren, nuk kemi ndeshur fakte që do të konfirmonin akuzat për pjesëmarrjen e Oliver Ivanovicit në krime, është shprehur Kandic.
Ivanovic po mbahet në paraburgim që prej datës 27 janar pasi dyshohet se ka marrë pjesë në krimet e kryera ndaj shqiptarëve në vitin 1999 dhe 2000. Ndërsa ai ka mohuar çdo akuzë. Ndërsa gjatë ditës së djeshme është arrestuar edhe Nebojsha Vujaçiq, i cili dyshohet për krime lufte në Kosovë, dhe është person i afërt me Oliver Ivanoviq.