Kalimet përmes mesdheut janë bërë më vdekjeprurëse se kurrë më parë
Gjenevë, 5 shtator - Tri vjet pas imazheve tronditëse të fëmijës së pajetë sirian Alan Kurdi në një plazh të Turqisë, raporti i sapo publikuar nga UNHCR, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët njofton se kalimi përmes Detit Mesdhe është bërë edhe më vdekjeprurës.
Raporti i ri i UNHCR-së "Udhëtimet e të dëshpëruarve" informon se më shumë se 1,600 njerëz kanë vdekur apo janë të pa gjetur derisa janë munduar të arrijnë në Evropë gjatë këtij viti.
Raporti thekson se përderisa numri total i njerëzve që vijnë në Evropë ka rënë, shkalla e vdekjeve është rritur ndjeshëm, veçanërisht për ata që kalojnë përmes Detit Mesdhe. Në Mesdheun Qendror, një person vdiq ose u zhduk për çdo 18 vetë që kaluan në Evropë ndërmjet janarit dhe korrikut 2018, në krahasim me një vdekje për çdo 42 vetë që kaluan në të njëjtën periudhë në vitin 2017.
"Ky raport edhe një herë konfirmon Mesdheun si një nga kalimet më vdekjeprurëse në botë", tha drejtoresha e zyres së UNHCR-së për Evropë, Pascale Moreau. "Me numrin më të vogël të njerëzve, që vijnë në brigjet evropiane, kjo nuk është më një provë nëse Evropa mund të menaxhojë numrat, por nëse Evropa mund të tregojë humanitetin për të shpëtuar jetëra".
Në muajt e fundit, UNHCR, së bashku me Agjencinë e OKB-së për Migracionin, IOM, kanë bërë thirrje për një qasje parashikuese e rajonale për shpëtimin dhe zbarkimin e njerëzve në gjendje të vështirë në Detin Mesdhe.
UNHCR po ashtu i bën thirrje Evropës për të rritur qasjen në rrugë të sigurta dhe ligjore për refugjatët, duke përfshirë rritjen e vendeve të rivendosjes dhe heqjen e pengesave për bashkimin familjar - duke ndihmuar në ofrimin e alternativave kundrejt udhëtimeve potencialisht vdekjeprurëse.
Raporti gjithashtu përshkruan rreziqet me të cilat refugjatët përballen gjatë udhëtimit përgjatë rrugëve tokësore në ose brenda Evropës. Duke vënë në dukje hapat që disa kanë ndërmarrë për të parandaluar hyrjen e refugjatëve dhe emigrantëve në territorin e tyre, raporti i nxit shtetet t'i japin atyre që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare lehtësisht të disponueshme në procedurat e azilit. Ai, gjithashtu u bën thirrje shteteve të forcojnë mekanizmat për të mbrojtur fëmijët që udhëtojnë vetëm dhe kërkojnë azil.
Ambasadori i vullnetit të mirë i UNHCR-së, shkrimtari Khaled Hosseini, një ish-refugjat nga Afganistani, ka publikuar një libër të ri të ilustruar, që përputhet me trevjetorin e vdekjes së Kurdit. 'Lutja e Detit' i dedikohet mijëra refugjatëve, të cilët kanë humbur jetën nëpër botë, duke ikur nga lufta, dhuna dhe persekutimi.
"Kur pashë ato imazhe tmerruese të trupit të Alan Kurdit, zemra ime u thye", tha Hosseini. "Vetëm tri vjet nga kjo, dhe pavarësisht se me mijëra njerëz të tjerë humbasin jetën e tyre në det, kujtesa jonë kolektive dhe urgjenca për të bërë më mirë duket se ka tretur".
Në qershor dhe korrik të 2018, Hosseini vizitoi Libanin dhe Italinë dhe pa ndikimin shkatërrues në familjet që kishin humbur të afërmit derisa përpiqeshin të arrinin Evropën.
"Në Sicili kam vizituar një varrezë të vetmuar dhe të çrregullt të mbushur me varre të pa shënuara të njerëzve - përfshirë shumë fëmijë - të cilët janë mbytur në udhëtime në vitet e fundit, ashtu si Alan", tha Hosseini. "Secili prej këtyre njerëzve tani është reduktuar në vetëm një numër, një kod në varr, por ata ishin të gjithë burra, gra dhe fëmijë që guxuan të ëndërrojnë një të ardhme më të ndritur. Tre vjet nga vdekja e Alanit, është koha që të jemi së bashku për të bërë më shumë për të parandaluar tragjeditë e ardhshme dhe për t'ua bërë të ditur miqve, familjeve, komunitetit dhe qeverive se ne jemi me refugjatët".